KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka njoftuar për kryerjen e një rotacioni të forcave rezervë.
Mbrëmë, siç njofton KFOR-i, ”trupat italiane nga rezervat e KFOR-it përfunduan dislokimin e tyre në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO” dhe “ato do t’i zëvendësojnë rezervat që nisen nga Greqia dhe Bullgaria”.
“Reparti përbëhet nga Regjimenti i 5-të i Këmbësorisë i Brigadës AOSTA, dhe nga personeli shtesë i Karabinierisë Italiane”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga KFOR-i.
“Batalioni do të vendoset në Camp Villaggio Italia për disa muaj. Ai do të kryejë një sërë aktivitetesh, duke përfshirë patrullimet, dhe do të përdoret në përgjigje të çdo zhvillimi përkatës të situatës së sigurisë”, thuhet më tej në komunikatë.
Si zakonisht, KFOR-i njofton se po vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“KFOR-i mbetet i përgatitur mirë për të trajtuar çdo skenar të sigurisë”, thuhet në fund të komunikatës.