Trupi mbrojtës i kryetarit në largim të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se do ta dërgojë në Gjykatën Supreme vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila sot konfirmojë dënimin me shtatë vjet burgim për Lushtakun, duke ia hequr akuzën për vrasje.
Sipas avokatit të Lushtakut, Arianit Koci, kryetari në largim i Skenderajt është dënuar me shtatë vite burgim nga Gjykata e Apelit, pas kërkesës së prokurorisë, për veprën “Krime lufte kundër popullatës civile, e cila ndëlidhet me Përgjegjësinë Komanduese të Lushtakut, për cënimin e integritetit trupor të shqiptarëve në Qendrën e Paraburgimit në Likoc.”
“Mbrojtja e Sami Lushtaku, me dt. 5 korrik 2015, ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër aktgjykimit dënues të dt. 27 maj 2015, për veprën penale “Vrasje”. Sot, me dt. 15 nëntor 2016, Gjykata e Apelit shpall aktgjykimin me të cilin ankesa jonë aprovohet në terësi, andaj Sami Lushtaku shpallet i pafajshëm për veprën penale “Vrasje” dhe i hiqen dymbëdhjetë (12) vjet burg, me të cilat u dënua fillimisht nga Gjykata Themelorë në Mitrovicë”, thuhet në reagimin e Kocit.
Në komunikatën e dërguar për medie, trupi mbrojtës i Lushtakut është shprehur i sigurt se vendimi i gjykatës së shkallës së parë ka qenë i drejtë.
“Mbrojtja e z. Sami Lushtaku beson fuqishëm se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë lidhur me këtë pikë të aktakuzës ka qenë i drejtë dhe se ekziston një bazë e fortë juridike për parashtrimin e mjetit juridik pranë Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftimin e trupit mbrojtës të Lushtakut.
Gjykata e Apelit ai ka zbutur dënimin kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, duke ia hequr akuzën për ‘Vrasje’. Në këtë mënyrë, i është shqiptuar dënimi më 7 vjet burgim.
Pjesa tjetër e aktgjykimit është konfirmuar siç ka qenë aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë i datës 25.05.2015. /Insajderi.com