Turmenistani me teste të virgjërisë vlerëson “moralin” e vajzave – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Turmenistani me teste të virgjërisë vlerëson “moralin” e vajzave

    Insajderi
    18 February 2024 - 16:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nxënëset e shkollave të mesme në provincën Balkan të Turkmenistanit po iu nënshtrohen testeve të detyrueshme të virgjërisë, që zyrtarët thonë se janë të nevojshme për të vlerësuar moralin e adoleshenteve.

    Autoritetet nuk kanë marrë pëlqimin e adoleshenteve apo të prindërve të tyre për këto teste shumë kundërthënëse që po kryen nga gjinekologët, thanë për Radion Evropa e Lirë disa prindër dhe nxënëse.

    Nxënëset që “dështojnë” në këtë test po raportohen te policia dhe shërbimet e sigurisë, sipas një punëtori të arsimit që është në dijeni me këtë fushatë.

    “Në qytetet e Balkanabat dhe Turmenbashi, të gjitha nxënëset nga klasa e nëntë deri në të njëmbëdhjetën po detyrohen që t’iu nënshtrohen ekzaminimeve gjinekologjike. Lista e vajzave, që gjatë testimeve identifikohen se kanë pasur marrëdhënie seksuale, ndahet me departamentin lokal të policisë dhe Ministrinë e Sigurisë Kombëtare”, tha ky person. Ai kërkoi të mbeste anonim.

    Policia shpesh kontrollon telefonat mobilë të vajzave që gjenden në listë për të kërkuar informacione për partnerët e tyre të dyshuar seksualë, pretendoi një punonjës tjetër i arsimit.

    “Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë shpjeguar se kjo po bëhet për të identifikuar dhe për të sjellë para drejtësisë personat që kanë pasur raporte intime me minorenet”, tha ky person që punon në kryeqytetin provincial, Balkanabat.

    “Inspektime në shkallë të gjerë po kryen aktualisht në provincë”, shtoi ai.

    Punëtorët e arsimit folën në kushte anonimiteti, duke u thirrur në arsye të sigurisë në shtetin e kontrolluar ashpër të Azisë Qendrore.

    Qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim publik se pse po kryen testet gjinekologjike, por punonjësit në Balkanabat dyshojnë se testet janë të lidhura me një rritje të raportuar të shtatzënive në mesin e adoleshenteve në këtë provincë muajve të fundit. Gjashtë raste të tilla janë regjistruar vetëm në Balkanabat, tha një nga punëtorët e arsimit.

    “Ky informacion shkoi deri te Ministria e Arsimit, e cila lëshoi më pas një qortim të ashpër për kreun e departamentit lokal të arsimit në Balkan. Pas kësaj, autoritetet provinciale nisën të kryenin kontrolle në qytetet e mëdha për ‘pastërtinë morale’”, tha ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark