Janë 2.638 persona të arrestuar në Turqi në operacionin anti-terorrizëm në javën e fundit. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Brendshme.
Pjesa më e madhe e të dyshuarve (2.331) akuzohet për lidhje me grushtin e mundshëm të shtetit, që sipas Ankarasë zyrtare është organizuar nga kleriku mysliman Fetullah Gulen.
Ndërkohë, 238 të tjerë, kanë përfunduar në pranga, pasi dyshohen për lidhje me organizatën terroriste të Partisë Punëtore të Kurdistanit, ndërsa 43 persona janë vënë në pranga, sepse dyshohet se janë anëtarë të ISIS-it. Pas grushtit të shtetit korrikun e kaluar, autoritetet turke arrestuan mbi 40 mijë njerëz dhe pezulluan rreth 120 mijë të tjerë nga një sërë profesionesh, përfshirë ushtarë, policë, mësues dhe nëpunës publikë.
Arrestimet e fundit vijnë 10 ditë pas referendumit të shumëluftuar, që miratoi zgjerimin e fuqive të presidentit Recep Tayyp Erdogan. Referendumi ndau thellësisht Turqinë, pavarësisht se Erdogan pretendon se përforcimi i presidencës do të shmangë destabilizimin që vjen nga qeveritë e koalicionit, ndërsa Turqia përballet me kërcënime sigurie nga militantët islamikë dhe kurdë, përcjell gazeta-shqip.
Por kritikët e tij druhen se vendi po zhytet edhe më thellë në autoritarizëm, me një udhëheqës që ka tendencën të dëmtojë demokracinë dhe themelet laike të Turqisë, ku arrestime të tilla masive nuk dërgojnë asnjë sinjal pozitiv.