×
  • Lajme
  • Lajme

    Turqia i kërkon Kosovës ekstradimin e një kurdi që iku nga torturat, ai kërkon azil politik

    Insajderi
    20 June 2024 - 13:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ahmet Yalçin më 6 qershor të këtij viti është kapur në territorin e Kosovës. Ai po kërkohej nga INTERPOL-i pasi që ishte arratisur nga burgjet e Turqisë. Ai është i dënuar me 20 vite, 40 muaj e 40 ditë burgim nga gjykatat turke. Ndaj tij është mbajtur seanca gjyqësore, për të cilin është caktuar masa e paraburgimit. Gjykata ka përmendur mundësinë e ekstradimit të tij në Turqi, gjë që e ka kundërshtuar rreptësisht mbrojtja e Yalçin. Avokatja e tij, Arbenita Aliu, ka thënë se arsyeja e arratisjes ishin torturat që iu bëheshin në burgjet e Turqisë. Krejt kjo, për shkak të përkatësisë etnike të Yalçin. Madje, ky i fundit po kërkon azil politik në Kosovë.

    Besnik Gashi

    Yalçin është i dënuar për veprat penale “vrasje me paramendim”, “sjellja e sendeve të ndaluara në burg ose qendër paraburgimi” dhe “arratisja” sipas Kodit Penal të Turqisë, raporton Gazeta Insajderi.

    Ndaj tij në të kaluarën janë marrë tetë vendime që ia rrumbullakësojnë vuajtjen e burgimit në kohëzgjatje prej 20 viteve, 40 muajsh dhe 40 ditësh.

    Yalçin fillimisht është i dënuar më 2017-ën nga Gjykata për Krime të Rënda Penale në Ankara për vrasje me paramendim për 15 vite në Ankara nën akuzat se më 27 nëntor të 2012-ës kishte vrarë Serkan Kocabay (i cili ia kishte vrarë babain më herët). Pra, vrasja ka ndodhur në formë hakmarrjeje.

    Më pas, në 2022-ësn Gjykata e Shkallës së Parë për Krime e Ankaras e kishte dënuar Yalçin me dy vite e gjashtë muaj burgim nën akuzat se gjatë kohës sa po qëndronte në burg, kishte poseduar substancë narkotike. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, atë ia kishe sjellë babai i tij, Hakki Yalçin.

    Në të njëjtin vit, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime e Ankaras pas arratisjes e dënoi me tetë muaj.

    Ai më 6 qershor të këtij viti është kapur përbrenda territorit të Republikës së Kosovës nga njësiti FAST, pasi që Turqia ka lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar ndaj kurdit Yalçin që nga 2019-a.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbajtur një seancë për kurdin, të cilit ia ka caktuar masën e paraburgimit. Themelorja ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e tij për në shtetin turk, të cilën e ka të aprovuar.

    “Gjykata me rastin e aprovimit të kërkesës së prokurorit vlerësoi se e njëjta është në përputhje me dispozitat e nenit 184 të KPRK-së, nenin 20, par.3, nenin 22 par.1 të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale. Dispozita e nenit 6 e këtij ligji përcakton se “Personi i kërkuar nga një shtet tjetër për qëllim të zhvillimit të procedurës penale ose për ekzekutimin e dënimit mund të ekstradohet nga Republika e Kosovës në atë shtet, sipas kushteve të parapara me këtë ligj”. Po ashtu neni 9 i këtij ligji e përcakton Inkriminimi i dyfishtë “Ekstradimi lejohet vetëm për veprat penale të dënueshme sipas ligjit vendor dhe ligjit të shtetit kërkues”. Për më tepër vepra penale e lartcekur është e përcaktuar si vepër penale edhe në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e gjykatës, të cilin e ka parë Insajderi.

    “Përveç kërkesës së prokurorit të shtetit, gjykata mori parasysh edhe caktimin e ndonjë mase tjet më të butë, por duke u bazuar në rrethanat e lartcekura, Gjyqtari i procedurës paraprake, erdhi përfundim se tani për tani, është i domosdoshëm caktimi i masës së paraburgimit për të kërkuar me qëllim të sigurimit të sigurimit të ekstradimit nga shteti kërkues, vijon vendimi.

    Çështjen e ekstradimit dhe masat e tjera i ka kundërshtuar avokatja e shtetasit kurd, Arbenita Aliu, e cila ka thënë se nuk duhet të lejohet në asnjë formë. Aliu ka thënë se arsyeja e arratisjes së Yalçin nga burgjet e Turqisë është maltretimi që iu është bërë si shkak i nacionalitetit të tij. Ajo ka prezantuar kërkesën e klientit të saj, për azil politik në Kosovë.

    Shtohet pyetja se pse i mbrojturi im është anashkaluar prej burgut? Kjo sepse i njëjti ka qenë i maltretuar në burgjet e Turqisë dhe kjo për të vetmin fakt që ka qenë i etnisë Kurde, dhe për të shpëtuar jetën e tij dhe për t’i ikur maltretimit fizik dhe psikik është dashur me patjetër të ikë, të arratiset nga burgu i Turqisë, konkretisht ai i Ankarasë, dhe për këtë arsye i njëjti gjendet në Greqi”, ka thënë ndër të tjera ajo.

    Shteti grek e ka Interpolin, është i anëtarësuar dhe shtrohet pyetja se pse vallë nuk e ka ekstraduar të mbrojturin tim. Kjo është çështje e azilit politik, andaj unë sot shfrytëzoj të drejtën që të kërkoj në këtë sallë gjykimi, të kërkoj azil politik për të mbrojturin tim dhe të gjitha gjykimet ndaj tij si dhe nëse është e nevojshme edhe vuajtja e dënimit, të mbahet në Kosovë, por ekstradimi i tij në asnjë formë, në asnjë mënyrë të mos lejohet dhe të gjithë këtë e mbështes në konventën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Konventën ndërkombëtare për Ekstradim”, ka deklaruar ndër të tjera para trupit gjykues avokatja Aliu.

    “Marrëveshjes mes shtetit të Kosovës dhe Turqisë për ekstradim dhe Ligjit për Ekstradim të Kosovës si dhe praktikat gjyqësore të Strasburgut e që të ndjekurit politik asnjëherë nuk i dorëzohen shtetit që dyshohet se ka konflikt me të njëjtin nacionalitet e që kjo është botërisht e njohur dhe se i njëjti duhet të trajtohet edhe në institucionet tona dinjitetshëm ashtu siç e thotë kushtetuta jonë dhe ligji”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

    Për arrestimin e Yalçin ka njoftuar Policia e Kosovës më 6 qershor të këtij viti.

    “Më 06.06.2024,  është arrestuar personi i kërkuar në bazë të letër-rreshtimit ndërkombëtar, lëshuar nga autoritet e Turqisë. Me urdhër të prokurorit kompetent të Prokurorisë Themelore-Prishtinë, personi i arrestuar është dërguar në mbajtje”, u tha në njoftimin e PK’së.

    Problemi i Kosovës me ekstradimin e gjashtë gylenistëve në Turqi në të kaluarën

    Përkatësia e tyre politike kundër Erdoganit bëri që Kosova ta thyente ligjin dhe t’i ekstradonte tek pushteti i tij gjashtë glyenistë.

    Kosova pati marrë kritika të ashpra nga ndërkombëtarët për ekstradimin e gjashtë gylenistëve nga Kosova për në Turqi. Madje, përflitej që ekstradimi i jashtëligjshëm i gylenistëve do ta rrezikonte Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    28 deputetë i kishin dërguar letër atëkohë ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, duke u shprehurt ish-drejtuesve të Kosovës shqetësimin për fatin e gjashtë shtetasve turq, të arrestuar në Kosovë e të dëbuar në Turqi pa kaluar faza gjyqësore.

    “Si pjesëtarë të Parlamentit Europian, ju bëjmë thirrje të respektoni procedurat ligjore sipas standardeve europiane. Të gjitha masat e marra nga autoritetet kosovare duhet të respektojnë rendin ligjor dhe të promovojnë respektin universal për liritë dhe të drejtat e njeriut. Procedura arbitrare për arrestimin dhe dëbimin e tyre janë shkelje e këtyre parimeve”, thonin ndër të tjera eurodeputetët në letrën e dërguar presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj.

    Për ta ndriçuar këtë rast Kuvendi i Kosovës pati formuar një komision hetimor parlamentar, i cili kishte mandat katër muaj, me ç’rast për këtë periudhë arriti t’i evidentojë rreth 31 shkelje ligjore.

    Gjykata Themelore në Prishtinë vitin që shkoi e dënoi me katër vjet e tetë muaj burgim Driton Gashin, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), për rastin e gylenistëve.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Gashi në periudhën 23 mars 2019 – 29 mars 2018, akuzohej se si person zyrtar kishte dëbuar gjashtë shtetas të Turqisë që kishin leje qëndrimi dhe të drejtën e punës në Kosovë.

    Sipas aktakuzës, Gashi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat sipas kompetencës duke rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe mosdhënien e lejes për njërin prej viktimave, “për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit”.

    Prokuroria ka pretenduar se Gashi për këtë procedurë s’e ka njoftuar atëkohë as presidentin e as kryeministrin, siç kërkohet me Ligjin për AKI-në dhe as kryeprokurorin e Shtetit, duke tejkaluar kompetencat.

    Gjashtë shtetasit turq janë dënuar si pjesë e lëvizjes politike të Fethuhllah Gulenit dhe aktualisht që të gjithë janë në burgje të Turqisë. Cihan Ozkan, Kahraman Demirez e Osman Karakaya janë dënuar me nga 7 vjet e gjysmë.

    Me 8 vjet e gjashtë muaj është dënuar Hasan Huseyin Gunakan i cili u dëbua gabimisht. Me 10 vjet Yusuf Karabina. Ndërsa dënimin më të madh e mban Mustafa Erdem, 15 vjet burg.

    Derisa Turqia e konsideron lëvizjen e Gylenit si terroriste, familjet e të dënuarve thonë se u janë shkelur të drejtat e tyre si në rastin e dëbimit në Kosovë dhe se në Turqi janë dënuar pa prova. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark