Ministri për Çështje Evropiane i Turqisë, Volkan Bozkir, ka thënë se nuk ka shpresa për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët turq.
“Në këtë fazë, nuk do të thosha se kemi shumë shpresa”, ka thënë Bozkir për gazetarët në Bruksel, pas bisedimeve me komisionarin për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn.
Bozkir ka shtuar se negociatat janë në rrugë pa krye dhe se Komisioni Evropian duhet të gjejë një “formulë të re” për zgjidhjen e situatës.
Bashkimi Evropian insiston se Turqia duhet të përmbushë disa kushte të rëndësishme, përfshirë ndryshimin e ligjit anti-terrorizëm.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë dhe ka akuzuar bllokun për vënien e pengesave të reja.
BE-ja dhe grupet për të drejtat e njeriut akuzojnë Ankaranë se përdor legjislacionin anti-terrorizëm për të frikësuar gazetarët dhe disidentët.