Parlamenti turk ka përkrahur një projektligj kontrovers, që thotë se burrat që abuzojnë seksualisht me fëmijë mund të mos dënohen nëse ata martohen me viktimat e tyre.
Kritikët thonë se ligji do të legjitimojë dhe inkurajojë dhunimet seksuale por qeveria ka insistuar se projektligji është keqinterpretuar, shkruan The Independent.
Partia për Drejtësi dhe Zhvillim – që ka sjellë projektligjin për votim e që është partia më e madhe – reagoi ashpër duke thënë se vendit i duhet një ligj për të zgjidhur komplikimet ligjore lidhur me martesat e fëmijëve.
Deputetët e kanë miratuar në parim këtë draft të enjten dhe ata do të votojnë sërish brenda disa ditëve.
Nëse kalon ky propozim edhe në leximin e dytë, atëherë burrat që abuzojnë seksualisht vajzat nën moshën 18 vjeçare mund të shpëtojnë nga ndjekja penale, shkruan The Independent.
Por, sipas projektligjit, nëse akti është kryer me forcë apo kërcënim, atëherë nuk mund të hyjë në kategori të evitimit të ndjekjes penale./Insajderi.com