Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka premtuar sot se vendi i tij do të dhurojë 30.000 vaksina anti-COVID për Bosnjën-Hercegovinën.
Premtimin, Erdogan e ka dhënë pas takimit që pati me treshen e Presidencës së Bosnjës, Zheljko Komshiq, Shefik Xhaferoviq dhe Milorad Dodik në Ankara.
“Dua të shpreh ngushëllime për të gjitha familjet që janë humbur më të dashurit e tyre në luftë me koronavirusin. Ne do të dhurojmë 30.000 vaksina për Bosnjën”, ka thënë presidenti turk në konferencën për media, përcjell “Klix.ba”.
Edhe pse nuk është thënë se për cilën vaksinë bëhet fjalë, sipas mediumit të Bosnjës, do të jenë ato kineze, Sinovac.Kësisoj, sasia e parë e madhe e vaksinave në Bosnjë do të jetë donacion.
Më herët edhe Serbia dhuroi 5.000 vaksina për këtë vend.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në Turqi, është nënshkruar edhe marrëveshja për autostradën Sarajevë – Beograd.
Klix.ba nuk ka njoftuar se si do të financohet ky projekt dhe se çfarë roli do të kenë qeveria dhe kompanitë turke.