Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar sot vizitën zyrtare në Turqi, duke vënë kurorë lulesh në Mauzoleun e Ataturkut në Ankara ku edhe u nënshkrua në Librin e Kujtimeve.
Kreu i vendit i ka filluar vizitat zyrtare me takime të ndara me Kryetarin e Parlamentit turk, Ismail Kahraman, dhe me kryeministrin Binali Yıldırım.
Me kryeparlamentarin Kahraman, presidenti Thaçi ka biseduar për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërparlamentar.
Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse që Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur Kosovën, që në ditën kur Kosova ka shpallur pavarësinë, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme për sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, njofton Zyra e Presidentit.
Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Ismail Kahraman, ka thënë se Turqia është dhe do të mbetet mike e Kosovës dhe shtoi se të dy vendet ”duhet të rrisin bashkëpunimin parlamentar”.
Në fund të vizitës në Parlamentin e Republikës së Turqisë, presidenti Thaçi vendosi lule në pjesën e parlamentit të goditur nga predhat në tentim grusht-shtetin të datës 15 korrik 2016.
Në takimin me kryeministrin Binali Yıldırım, presidenti Thaçi ka vlerësuar marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë dhe ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.
“Vlerësoj partneritetin strategjik mes Kosovës dhe të Turqisë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërkaq, kryeministri Yıldırım tha se Turqia do të vazhdojë të promovojë Kosovën në botë dhe e siguroi presidentin Thaçi se do të punojë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në të gjitha fushat.
“Do të vazhdojmë të kërkojmë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, theksoi kryeministri Yıldırım.
Presidenti Thaçi shprehu falënderim për përkrahjen e vazhdueshme dhe ftoi që bashkëpunimi mes dy shteteve të intensifikohet, veçanërisht në sektorin e ekonomisë.
“Investitorët nga Turqia janë ndër më të rëndësishmit”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit po ashtu theksoi se të dy vendet, Kosova dhe Turqia, ballafaqohen me kërcënimin e radikalizmit dhe terrorizmit dhe tha se mekanizmat e sigurisë të dy vendeve “kanë bashkëpunim të shkëlqyer”.
“Prandaj, çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë”, përfundoi Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi./Insajderi.com