Udhëheqës të Bashkimit Evropian presin që ish-kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, të fitojë edhe një mandat prej 30 muajsh në postin e presidentit të Këshillit Evropian, edhe pse nuk ka mbështetje nga vendi i tij.
Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do ta bëjnë përzgjedhjen sot.
Qeveria e Polonisë, e kryesuar nga Partia konservatore për Ligj dhe Drejtësi, ka nominuar anëtarin e Parlamentit Evropian, Jacek Saryusz-wolski, si sfidant të Tuskut.
Por, Tusk pritet të mbështetet nga shumica e udhëheqësve evropianë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se rizgjedhja e tij do të ishte “shenjë e qëndrueshmërisë” për bllokun.
Liderët e BE-së pritet të diskutojnë situatën në Ballkanin Perëndimor sot në mbrëmje.