Twitter është duke eksperimentuar me një dyfishim të numrit të karaktereve të përdorura në një postim, në 280, por kjo do të vlejë vetëm për disa gjuhë të caktuara.
Në një njoftim të kompanisë thuhet se gjuhët të cilat i flasin disa përdorues, janë më të prekura nga kufiri i karaktereve në krahasim me disa gjuhë të tjera, shkruan AA.
Për shembull, në gjuhët siç janë japonishtja, kinezishtja apo gjuha koreane, përdoruesit mund të këmbejnë informata me dyfishin më pak të karaktereve të nevojshme për tjerat gjuhë, siç është anglishtja apo spanjishtja.
“Kemi vërejtur se një përqindje e vogël e postimeve në japonisht kanë 140 karaktere (vetëm 0.4 për qind), por në anglisht, numër i madh i postimeve kanë 140 karaktere (9 për qind)”, thuhet në deklaratë.
“Pjesa dërmuese e postimeve në japonisht kanë 15 karaktere, ndërkohë pjesa më e madhe në anglisht kanë 34”, thuhet më tej.
Përmirësimi në 280 karaktere do të jetë fillimisht i disponueshëm për një grup të vogël njerëzish, tha kompania, e cila thotë se ndërkohë do të mbledhë të dhëna dhe do të grumbullojë reagimet e përdoruesve në mënyrë që ta vë në dispozicion të gjerë.
Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, përdorimi mesatar mujor i Twitter-it prej 328 milionë personash është një rritje me 5 për qind nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, por megjithatë shënon ngecje krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.