Në fillim të këtij muaji, krimet Ekonomike kishin zhvilluar aksion në nivel vendi. Aksioni u zhvillua në pikat e laboratorit “Avicena”. Arsyeja pse Drejtoria për Krimet Ekonomike dhe Korrupsion kishte zbarkuar është pasi dyshohet se laboratori ka lëshuar certifikata të falsifikuara për nevoja të procesit të patentë shoferëve.
Por, që së fundmi kemi hasur emrin e këtij laboratori, si kontribuues në fushata sensibilizues. Kjo ka ngritur dyshimet se mos po tentohet të përmirësohet imazhi.
“Avicena” ka lidhur marrëveshje me komuna për të kryer egografinë e gjirit dhe mamografitë.
Por, sa mund të jenë të vërteta këto testime duke marrë parasysh se klinika e përzgjedhur u bastis për falsifikim të testimeve?
Komuna e Hani i Elezit, sot ka organizuar një shfaqje teatrale për ndërgjegjësimit mbi rrezikun e kancerit të gjirit. Kjo u bë në bashkëpunim me laboratorin që është bastisur nga krimet ekonomike.
Përveç, kësaj Kimete Kuka Hasallari, Drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në këtë komunë, shihet në një video të postuar nga “Avicena”.
Drejtoresha, ka promovuar biznesin që dyshohet për falsifikim të certifikatave.
Madje, kjo video është shpërndarë edhe në faqen zyrtare të komunës në “Facebook”.
Gazteta Insajderi lidhur me këtë ka biseduar me kryetarin e kësaj komunë, Mehmet Ballazhi, i cili tha se nuk është në dijeni se pse është zgjedhur ky laborator.
Sipas tij kjo është bërë pa përfitime monetare.
“Nuk e di, e ka organizuar drejtoresha e shëndetësisë. Kjo kompani na ka ndihmu. Nuk ka përfitime monetare”, tha ai.
Një Komunë tjetër që po ashtu ka marrëveshje me Avicena është ajo e Mitrovicës.
Drejtori i Shëndetësisë, atje Fahri Shabani, tha se ky është një projekt i të gjitha Drejtorive të Shëndetësisë së Komunave të Kosovës dhe Klinikës së Kirurgjisë Torakale të QKSUK-së.
Sipas tij ka qëllim përveç ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit edhe ndihmën konkrete për gratë dhe vajzat e prekura nga kanceri i gjirit.
“Dëshiroj të ju njoftoj se projekti i Avicena KS në kuadër të fushatës : “Lufto me guxim -Muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit te gjirit” implementohet si marrëveshje bashkëpunimi në mes të Avicena KS dhe të gjitha Drejtorive të Shëndetësisë së Komunave të Kosovës dhe Klinikës së Kirurgjisë Torakale të QKSUK-së dhe ka qëllim përveq ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit edhe ndihmën konkrete për gratë dhe vajzat e prekura nga kanceri i gjirit.
“Ky projekt ka filluar me 1 tetor 2024 dhe nuk ka asnjë lidhje me kontrollat që inspektorati shëndetsor dhe organet tjera ligjzbatuese më vonë kanë zhvilluar në Avicena KS, të cilat janë çështje të Avicena KS ,të cilat duhet ti zgjidhin vetë e që as nuk kanë lidhje me projektin tonë e as nuk na interesojnë fare“, tha ai.
Shabani thotë se arsyeja e vetme që hyn në këtë projekt është që tu ofrohen shërbimet qytetarëve pa pagesë.
“Kemi hyrë në këtë projekt sepse përmes tij po ju ofrojmë shërbime shtesë qytetarëve tanë ( ekografitë e gjirit dhe leximin e mamografive ) pa shpenzuar asnjë cent të buxhetit komunal“.
Për çka dyshohet Avicena?
Me 10 tetor, Drejtoria e Krimeve Ekonomike ka zbarkuar në disa pika të laboratorit “Avicena”. Gazeta Insajderi raportoi se arsyeja e këtij aksioni lidhet me dyshimin se ky laborator se ka lëshuar certifikata të falsifikuara për nevoja të procesit të patentë shoferëve.
Këtë raportim të Insajderit e kishte konfirmuar edhe prokurori i Prokurorisë Themeloren në Prishtinë në Departamentin për Krime të Rënda, Besnik Jakupi.
“Po, me urdhëresë të gjykatës është. Unë e kam ba kërkesën, çertifikatat mjekësore për patentë shoferë janë lëshu prej pikave që nuk kanë pas licencë”, kishte deklaruar ai.
Jakupi shtoi se rasti ka të bëjë me veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i kundërligjshëm i veprimtarisë farmaceutike” si dhe “Rastet e posaçshme të falsifikimit”./Insajder.org/