Komuna e Prishtinës vitin e kaluar kishte dhënë tender për një projekt me të cilin kishte qëllim ta furnizonte kryeqytetin me biçikleta e që vetëm për një u dhanë mbi afro 3 mijë euro. Por, edhe pas një viti këto biçikleta nuk janë në shrbim të qytetarëve, ndonëse kontrata është në përfundim. Nga Komuna e Prishtinës, në një përgjigje për Insajderin janë arsyetuar se sistemi pagesave i ka marrë kohë.
Gazeta Insajderi
Me 14.08.2023 Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratën “Furnizim me biçikleta për Kryeqytetin”.
Vlera e parashikuar e kësaj kontratë ishte 500 mijë euro.
Ndërsa vetëm për një biçikletë u dhanë 2 mijë e 744 euro.
Ku mbetën biçikletat?
Në gusht të vitit 2023, kur edhe u dha tenderi Komuna kishte bërë të ditur se ka porositur 100 biçikleta për t’u mundësuar qytetarëve lëvizje më të lehtë në qytet.
Madje, duke dhënë edhe një afat kohor dymujor.
Për këto 100 biçikleta do të jenë 10 stacione.
Por, edhe pse po bëhet pothuajse një vit nga nënshkrimi i kësaj kontrate që për një biçikletë u dhanë mbi 2 mijë euro, ende asnjë nuk është në shërbim.
Për këtë Gazeta Insajderi ka pyetur edhe Komunën e Prishtinës, të cilët janë arsyetuar se i ka marrë kohë sistemi pagesave dhe pjesa softuerike.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, tha se biçikletat kanë arritur që një kohë dhe projekti është pothuajse i gatshëm.
“Projekti i biçikletave të Prishtinës është pothuajse i gatshëm! Biçikletat dhe pjesët përcjellëse kanë arritur në Prishtinë që një kohë, por sistemi i pagesave dhe pjesa softuerike kanë marrë më shumë kohë sesa kemi planifikuar“, tha Zogaj për Insajderin.
Cilat janë specifikat e këtyre biçikletave?
Shefi i asamblistëve të VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, në një postim në “Facebook”, tha se çmimi që komuna ka paguar për një biçikletë nuk përkon me çmimet që janë në treg.
“Një vit më vonë, në korrik të vitit 2024, kur jemi në pikun e verës, qytetarët e Prishtinës akoma nuk i kanë parë ato biçikleta e lere më t’i përdorin. Përkundër se çmimi i biçikletave të blera është shumëfish më i lartë se çmimet reale dhe se relievi i Prishtinës e pamundëson ngasjen e biçikletave mekanike në shumë lagje, të paktën është dashur që tashmë, një vit pas blerjes, ato të jenë në shërbim të qytetarëve“, tha ai.
Në dosje janë përshkruar punët që duhet kryer.
-Furnizim, transport i biçikletave klasike inteligjente, sipas specifikave teknike
-Furnizim, transport dhe montim i stacioneve për biçikleta si dhe montimi i stendave për parkimin e tyre
-Furnizim dhe instalim i softuerit dhe licenca për sistemin publik të biçikletave për 36 muaj
Në dosjen e tenderit janë dhënë disa specifika që duhet të ketë biçikleta./Insajderi.org/