U ekstradua në Kosovë për rastin e drogës në Pejë, Prokuroria kërkon një muaj paraburgim - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    U ekstradua në Kosovë për rastin e drogës në Pejë, Prokuroria kërkon një muaj paraburgim

    Insajderi
    25 April 2025 - 10:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Engjellush Ibrahimi, shtetas i Shqipërisë dhe i shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, është ekstraduar dje në territorin e Kosovës. Ai është i dyshuar për përfshirje në kultivimin e rreth 2 ton kanabis në zonën e Pejës.

    Gazeta Insajderi merr vesh se Prokuroria ka kërkuar një muaj paraburgim ndaj Engjëllush Ibrahimit.

    Sipas Prokurorisë Ibrahimi dyshohet për vepër penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Ibrahimi ishte në kërkim që nga tetori i vitit 2024, së bashku me katër persona të tjerë të dyshuar në këtë rast.

    Pas arrestimit dhe procedurave të nevojshme ndërkombëtare, autoritetet kanë arritur të realizojnë ekstradimin e tij.

    Me të mbërritur në Kosovë, siç ka mësuar Insajderi ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa pritet që Prokuroria të ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore në lidhje me hetimet.

    Në muajin tetor të vitit 2024, Policia e Kosovës kishte shpallur në kërkim pesë shtetas të Shqipërisë, të dyshuar për përfshirje në një rast të madh të kultivimit dhe shpërndarjes së narkotikëve në rajonin e Pejës. Lista përfshinte:

    Engjellush Ibrahimi, i lindur më 04.08.1985 në fshatin Pojan;

    Erion Etemaj, i lindur më 20.01.1990 në fshatin Shushicë;

    Eldi Mykaj, i lindur më 06.12.1997 në fshatin Ballsh;

    Mirjon Qokli, i lindur më 09.10.1997;

    Albano Saliu, i lindur më 09.02.1991.

    Të gjithë këta persona, sipas Policisë, dyshoheshin për përfshirje në veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.”

    Pas shkatërrimit të një plantacioni të kanabisit në Pejë gjatë vitit të kaluar, me një vlerë të vlerësuar prej rreth 5 milionë euro, autoritetet kishin caktuar masën e paraburgimit ndaj dy personave të tjerë të lidhur me këtë rast.

    Burime të Insajderit kishin bërë të ditur se Klodian Qoklit dhe Shkëlqim Xhijës u ishte caktuar paraburgim prej një muaji, me vendim të Gjykatës Themelore në Pejë, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me prokuror të çështjes Ersan Qavollin.

    Qokli dhe Xhija dyshoheshin për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Xhija ishte dorëzuar në duart e Policisë, ndërsa një ditë më parë, të shtunën, Klodian Qokli ishte arrestuar nga Policia Kufitare. Të dy kishin qenë në kërkim për një kohë të gjatë.

    Pas zbulimit dhe asgjësimit të plantacionit të kanabisit në Pejë, Policia e Kosovës kishte nisur një operacion intensiv për kapjen e të përfshirëve. Vlera e drogës së sekuestruar arrinte shifrën prej miliona eurosh, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar, Gazeta Insajderi raportoi për një aksion të zhvilluar më 27 shtator 2024, ku u sekuestruan rreth 1 mijë kilogramë lëndë narkotike.

    Hetimet zbuluan se grupi kriminal kishte mbjellë afërsisht 2,850 bimë kanabisi, të cilat ishin planifikuar për tharje dhe më pas për shitje. Kanabisi ishte kultivuar në disa parcela, pronarët e të cilave nuk ishin identifikuar në atë kohë.

    Aksioni kishte qenë nën drejtimin e prokurorit Ersan Qavolli dhe përbënte pjesë të një hetimi më të gjerë që vazhdonte të zhvillohej për trafik ndërkombëtar të narkotikëve.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark