Një fëmijë ka vdekur mbrëmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pasi ishte shtrirë aty dje, shkaku i goditjes nga një veturë derisa ishte në biçikletë bashkë me një fëmijë tjetër në Korishë të Prizrenit.
Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se pas aksidentit të dy fëmijët pësuan lëndime trupore, njëri prej tyre u hospitalizua në Repartin Ortopedik në Prizren, ndërsa tjetri është transferuar në QKUK, i cili vdiq mbrëmë në ora 01:28.
“Më datë 25.08.2024-01:28 viktima e cila ka qenë në trajtim mjekësor në QKUK ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë dërgohet në IML për autopsi”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.