
Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona që janë kapur në flagrancë me doza të kokainës dhe kanabisit, që dyshohet se ishin të destinuara për shitje.
Në operacionin e zhvilluar nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me komisariatin e Policisë në Delvinë dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, janë prangosur: E. A., 18 vjeçar, banues në fshatin Çukë, Sarandë dhe A. R., 33 vjeçar, banues në Vlorë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. A. iu gjetën disa doza të dyshuara me kokainë, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen në zonën e Sarandës, ndërsa tek shtetasi A. R. u gjetën doza kanabisi, të cilat dyshohet se do t’i shiste në zona të ndryshme të Vlorës.
Të gjitha lëndët narkotike janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndaj tyre janë ngritur procedura penale për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa materialet i janë kaluar prokurorisë për veprime të mëtejshme.