“Do të marrësh plumb në kokë…”, është ky kërcënimi që kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri e pranoi jo njëherë po dy herë nga një person në “Facebook”, që paraqitej si zyrtar i MUP-it serb. E për këtë, tashmë Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet.
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni, teksa shtoi se Prokuroria tashmë ka udhëzuar që të hapet rast për veprën penale “kanosja”.
“Është njoftuar prokurori, ka udhëzuar që të hapet rast për veprën penale “Kanosja” dhe tashmë ka nisur hetimet”, tha shkurt ai.
Kërcënimi i parë sipas Zeqiri iu bë njëherë në muajin maj e pastaj tani në shtator.
Ndërkohë, nuk ka munguar përgjigja as e Zeqirit.
“NJOFTIM: Jam duke u kërcënuar dy herë brenda tre muajve të fundit nga i njëjti profil i një terroristi që paraqitet të jetë një Oficer i MUP-it të Serbisë i angazhuar në R.Kosovës. Herën e parë me 31 Maj. Dhe tani me 2 Shtator Përgjigjja e ime është: Këtu jam dhe këtu do të jem Dem Baba Dem”, shkruante ai në Facebook.
“Do të marrësh plumbin, edhe pak, kush të ftoi në festimin e maturës, o bandë terroriste okupatore, e kam mbajtur mirë në mend turirin tënd”, janë mesazhet që ka pranuar kryetari.
I njëjti profil i ka dërguar edhe fotografi ku shihet heroi kombëtar Adem Jashari pak momente pas vrasjes.