U lavdëruan me subvencionet për klima, qytetarët ankohen se Qeveria ende nuk ua ka dhënë paratë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    U lavdëruan me subvencionet për klima, qytetarët ankohen se Qeveria ende nuk ua ka dhënë paratë

    Insajderi
    13 March 2025 - 15:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kemi përkrahur rreth 40 mijë familje të vendit tonë, me rreth 40 milionë euro”, lavdërohej Albin Kurti gjatë fjalimit me 12 shtator të vitit të kaluar, kur ishte hapur thirrja për subvencionimin e qytetarëve me energji. Subvencionimi për klima do të bëhej me përqindje, si dhe ishte cekur se “kush aplikon i pari, shpërblehet i pari“. Por edhe pas gjashtë muajve disa qytetarë kanë shprehur shqetësime se Qeveria ende nuk ua ka dhënë paratë. Nga Ministria deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.

    Gazeta Insajderi

    Ministria e Ekonomisë me 12 shtator kishte hapur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa të financuara nga Bashkimi Evropian në Kosovë (BE).

    Mbështetja e qytetarëve synonte edhe subvencionimin e blerjes së klimave.

    “Kondicioner/ klimë, vlera e subvencionimit për një pajisje është dyzet përqind (40%) e vlerës investive, apo deri në 400.00 €. Për prindërit vetushqyes dhe qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria 1 dhe 2) subvencionohet gjashtëdhjetë përqind (60%)  e vlerës investive dhe deri në 550.00 €”, thuhej në njoftimin e Ministrisë.

    Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren Rizvanolli, patën qenë të pranishëm në hapjen e kësaj thirrje.

    “Tashmë kemi përkrahur rreth 40 mijë familje të vendit tonë, me rreth 40 milionë euro; disa prej tyre për të blerë pikërisht pajisje të këtilla për ngrohje e disa për të blerë pajisje elektro-shtëpiake; disa për t’i izoluar shtëpitë e disa për të instaluar sisteme diellore për ngrohje të ujit e prodhim të energjisë”, deklaronte Kurti.

    Ndërkohë që cekej se “aplikimet e pranuara do të shqyrtohen bazuar në parimin KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI, andaj inkurajoheni të aplikoni sa më herët”.

    Mirëpo, disa qytetarë janë duke u ankuar se subvencionimi i klimave nuk iu është bërë ende. Madje ka prej atyre që janë ankuar, se Ministria nuk u ka kthyer përgjigje rreth situates.

    Disa qytetarë kanë bërë komente publike por edhe qytetarë që kanë folur në kushte anonimiteti.

    Përvojat e tyre në rrjete sociale:

    “A ju kanë dal të gjithëve subvencionet për ngrohje për klima? Çka duhet me vepru nëse nuk të kthejnë kurgjo”, ka shkruar një qytetare.

    “Qe 4 muaj kemi apliku, asgjë”, shkruan tjetri.

    Gazeta Insajderi, ka biseduar edhe me dy qytetare, në kushte anonimiteti, të cilat kanë deklaruar se kanë aplikuar në shtator, por ende nuk iu kanë ekzekutuar pagesat.

    “I kom telefonuar, me kanë than nga komisioni që me kanë pranuar aplikimin, por ende s’me është bërë subvencionimi. E kam edhe një rast në familje, ende s’jane bërë pagesat”, tha ajo në mënyrë anonime për Insajderin.

    “Ende nuk më kanë dal, nuk kemi mar ndonjë përgjigje akoma”, tha një qytetare tjetër.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Ekonomisë, lidhur me këto ankesa, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje./Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark