Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të parandalimit me kontrabandë. Gjatë kontrollit në fshatin Stublinë, policia thotë se ka vërejtur lëvizje të dyshimta – si rrjedhojë ka ndalur një automjet të cilin e voziste një grua me shtetësi serbe, pas kontrollit janë konfiskuar një sërë gjërash, shkruan Insajderi.
Në automjetin e ndaluar bëhet me dije se kishte pasur të ngarkuara mallra të ndryshme në sasi të mëdha, përfshirë pajisje elektronike, tekstil dhe produkte higjienike.
“Me datën 12.09.2024 gjatë vëzhgimit të brezit kufitar të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, në fshatin Stublinë zyrtarët policorë të angazhuar në plan operativ, kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të personave dhe automjeteve në rrugë fushore ilegale që lidh dy fshatrat ndërkufitar Dobrosin-Stublinë”, thuhet në njoftim.
“Nga njësitet e angazhuara policore në fshatin e lartcekur është ndaluar automjeti i dyshuar me targa të Serbisë, të cilin e drejtonte e dyshuara femër me shtetësi serbe, si dhe një pasagjer”, vijon njoftimi.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse policore sipas procedurave të parapara, si dhe me urdhër të prokurorit kompetent personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli i konfiskuar është dërguar në terminalin doganor për vlerësim nga ana e Doganës së Kosovës.