Janë bërë gjashtë muaj që kur iu pre shiriti projektit 1.3 milionësh në komunën e Podujevës. Në qershor të vitit të kaluar kryetari Bulliqi njoftoi se stacioni i autobusëve u përurua, mirëpo nisja e autobusëve nuk po bëhet nga stacioni i ri. Por nga një lokacion afër qytetit. E para një muaji, iu dha donacion një autobus urban kësaj komune. Gazeta Insajderi ju sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Me 19 qershor të 2024’tës, në 25-vjetorin e çlirimit të Podujevës u përurua projekti i stacionit të ri të autobusëve në këtë komunë.
Në njoftimin e lëshuar nga Komuna e Podujevës thuhej se Shpejtim Bulliqi ka deklaruar se ky stacion do të shërbejë edhe për linjat ndërkombëtare.
Ndërkohë me 12 dhjetor të vitit 2022, ishte nënshkruar kontrata për këtë projekt. Fitues të tenderit ndërtimin e stacionit të autobusëve ishin operatorët ekonomik: EING COM, SH.P.K. LONI, SHPK, SINANI, ING SH.P.K, Isars SH.P.K.
Vlera e përgjithshme e këtij tenderi në kontratë ishte 1. 165.575.47 euro.
Në ditën e 19 qershorit, kur iu pre shiriti stacionit të autobusëve kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi kishte deklaruar se vlera totale e të cilit është 1.3 milionë euro, ku MZHR-ja ka participuar me 600 mijë euro.
“Ky projekt është realizuar në bashkëfinancim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, ku vlera totale e tij është 1.3 milionë euro, ku MZHR-ja ka kontribuar me 600 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Bulliqit.
Me 16 dhjetor, komuna e Podujevës, kishte njoftuar se kanë pranuar donacion një autobus. Siç thuhej në njoftim, ky donacion do të përmirësojë shërbimet e transportit publik në Podujevë.
“Komuna e Podujevës ka pranuar sot një donacion të çmuar – një autobus të dhuruar nga bashkatdhetari z. Xhevdet Ajvazi, pronar i kompanisë “Flutura Reisen GMBH” nga Velberti i Gjermanisë.
Ky donacion do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve të transportit publik në Komunën e Podujevës”, thuhej në njoftim.
Mirëpo, deri më tani nuk është ofruar për shfrytëzim nga qytetarët.
Kjo pasi që udhëtarët për tu nisur nga Podujeva në Prishtinë, po nisen nga një “stacion” tjetër.
Autobusët në orarin e tyre, presin që të mbushen me udhëtarë te lokacioni afër shkollës së mesme ekonomike ‘Isa Boletini’, e pastaj nisen për Prishtinë.
Stacioni i ri, e i përuruar në qershor është duke u shfrytëzuar vetëm për parking.
Pamje e një autobusi, në lokacionin ku po bëhet nisja tash e sa kohë.
Asamblisti nga radhët e LDK’së, Ekrem Rrahmani tha për Insajderin se kjo po ndodh si shkak që stacioni është larg dhe nuk shkon asnjë qytetar aty.
Madje ai përmendi edhe autobusin urban që iu është dhuruar komunës, por sipas tij nuk dihet pse nuk është në funksion.
“Asnjë qytetar nuk shkon në stacion, se është shumë larg. Një bus kësi urban na ka ardhë ndihma s’di as ku e kanë lanë, nuk funksionon”.
Tutje ai shtoi se si kuvend i komunës kanë votuar për ndarjen e 30 mijë eurove për funksionalizimin e stacionit.
“Po i kena nda 30 mijë euro për funksionalizimin e stacionit”, tha Rrahmani.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje, në komunën e Podujevës, por deri tash nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
/Insajderi.org/