“Pylli i Arinjve Prishtina” përmes një njoftimi në ‘facebook’ kanë njoftuar për ngordhjen e një ariu. “Kasandra” siç njoftojnë nga Pylli i Arinjeve kishte shfaqur kohëve të fundit probleme shëndetësore dhe pas trajtimit nga veterinerë gjendja e saj fillimisht ishte përmirësuar.
Por, siç bën të ditur njoftimi, “Kasandra” sot është gjetur e ngordhur në kafazin e saj, meqë nga veterinerët ishte konstatuar se vuante nga kanceri që i ishte përhapur në organet e brendshme.
“U prefsh ne paqe Kasandra! Ne ende nuk mund ta besojmë se je larguar, edhe pse në zemrat tona historia dhe trashëgimia yte do të jetojnë përgjithmonë “, kanë shkruar nga Pylli i Arinjve Prishtina.
Postimi i plotë:
Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se një tjetër ari nga PYLLI I ARINJVE Prishtina nuk është më me ne.
Kasandra e bukur na ka lënë zemërthyer, pasi e gjetëm papritur të pajetë në strofullin e saj. Kohët e fundit ajo kishte shfaqur shenja shqetësuese. Pas trajtimit nga veterinerët tanë, gjendja e saj fillimisht u përmirësua. Megjithatë, vetëm pak ditë pasi kishte filluar trajtimi, ajo u gjet e pajetë nga kujdestarët e saj. Rezultatet e analizave zbuluan se Kassandra vuante nga kanceri që ishte përhapur në disa organe të brendshme.
Kassandra ishte ariu simbol dhe shumë e veçantë e strehimoren tonë. Ajo ishte ariu i parë që u shpëtua nga FOUR PAWS në Kosovë në mars të vitit 2013, dhe ishte një shembull i qëndrueshmërisë së vërtetë. Edhe pse strehimorja nuk ishte plotësisht e ndërtuar dhe as e gatshme për të pritur ndonjë ari, ne bëmë të pamundurën për ta nxjerrë atë nga kafazi i saj i tmerrshëm sa më shpejt që të ishte e mundur.
Kasandra ishte braktisur plotësisht nga pronari i saj i mëparshëm, pasi ai kishte mbyllur restorantin e tij. Kafazi i saj ishte i vogël dhe nuk ofronte asnjë strehë nga moti i keq. Ajo ushqehej herë pas here nga dashamirët e kafshëve. Një kopje e kafazit të saj u ndërtua dhe sot kur vizitoni strehimoren tonë, mund ta shihni se në çfarë kushtesh kishte jetuar Kassandra për shumë vite.
Kassandra jetoi për 11 vite të lumtura nën kujdesin e mrekullueshëm nga stafi ynë. Ajo njihej si adhuruese e frutave dhe veçanërisht shalqirin. Të gjithë ishim të habitur se si brenda një kohe shumë të shkurtër pas mbërritjes së saj, ajo u transformua krejtësisht; si mendërisht ashtu edhe fizikisht.
Që nga viti 2016, Kassandra ndau hapsirën e saj me ariun Vini dhe e pëlqeu çdo moment të kaluar me të. Një nga gjërat e tyre të preferuara ishte noti dhe spërkatjet në pishinën e tyre së bashku, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta të verës.
U prefsh ne paqe Kasandra! Ne ende nuk mund ta besojmë se je larguar, edhe pse në zemrat tona historia dhe trashëgimia yte do të jetojnë përgjithmonë