Shkrimtari nga Skënderaj, Azem Deliu i cili mbrëmë është sulmuar nga tre persona për shkak të një debati që kishte zhvilluar në rrjetet sociale rreth martesës së profetit Muhamed, ka konfirmuar se ka pësuar lëndime të lehta.
Ai ka thënë se tre persona e sulmuan atë ditën e enjte.
“Jam sulmuar dje rreth orës 12:00, nga tre persona të panjohur, për shkak të një debati rreth profetit Muhamed”, u shpreh Deliu për Klan Kosova.
Deliu, debatin rreth profetit Muhamed dhe jetës së tij, e zhvilloi me imamin nga Skënderaj, Bedri Syla. Por, siç thotë ai, hoxha nga Skënderaj dhe vetë Deliu kanë zhvilluar debat në frymë miqësore.
“Reagimi im ka qenë në frymën e një debati jashtëzakonisht paqësor, po ashtu edhe i hoxhës”, ka thënë ai.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se pas sulmit tre persona janë shoqëruar në polici, por pastaj janë liruar në procedurë të rregullt. /Insajderi.com