![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë zarfe me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar ato në ambasadë, ka reaguar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Insajderin se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutia postare është bërë sipas akteve nënligjore.
Ai tha se KQZ do të marrë një vendim përkatës dhe meritor pas shqyrtimit të situatës.
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb, sqarojmë se do të vlerësohet nëse kjo është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor,” ka thënë Elezi për Insajderin.
Gazeta Infokus ka raportuar se në një takim online të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës në botë, vetë ambasadori Berishaj ka konfirmuar hapur se ka ndërhyrë në procesin e administrimit të votave të diasporës.
Sipas raportimit, Berishaj ka deklaruar se ka tërhequr personalisht të gjitha zarfet me vota nga posta dhe i ka dorëzuar në ambasadën e Kosovës në Kroaci, ku ai drejton misionin diplomatik.