Një rrahje mes dy asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ndodhi sot në Kuvendin komunal të Podujevës. U raportua se mosmarrëveshja deri në rrahje fizike ndodhi për shkak të emërimin e shefit të grupit të asamblistëve të VV-së në Kuvendin Komunal.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me shefin e asamblistëve të VV-së, Haki Rudari, i cili mohoi të ketë pasur rrahje për shkak të tij.
“Nuk është e vërtetë, e mohoj tërësisht. Mbaj përgjegjësi para gjithë mediave. Nuk kam informata që ka pasë rrahje. Jam marrë me mbarëvajtjen e punimeve” – tha Rudari për Insajderin.
Ai tutje shtoi se është zgjedhur kryesues me vota të plota.
“Zgjedhja ime është në koordinim të plotë. Jam zgjedhur kryesues me vota të plota dhe i falënderoj të gjithë për besimin që ma kanë dhanë”– nënvizoi Rudari.
Ndryshe, seanca e sotme e Kuvendit Komunal, në të cilën ishte paraparë raportimi i komandantit të Stacionit Policor të Podujevës është ndërprerë në gjysmë për shkak të tensioneve.
Lidhur me këtë Rudari tha se punimet u bllokuan nga grupi i asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Ndërprerja e punimeve të Kuvendit ka ardhur si rezultat i bllokimeve të punimeve nga grupi i asamblistëve të LDK-së. Madje ata e kanë marrë mikrofonin dhe kanë pengu mbarëvajtjen e punimeve” – përfundoi Haki Rudari.
Ndërkaq, shefi i grupit të asamblistëve të VV-së në Podujevë bëri të ditur se seanca e radhës e Kuvendit Komunal të të vazhdojë të enjten.