Me 2 gusht ndërroi jetë Jetart Berisha, viktima e dytë e tentim-vrasjes së para disa muajve në Pejë. Pas vdekjes së tij reagoi deputeti, Bekim Haxhiu, i cili akuzoi mjekët e QKUK-së për neglizhencë përkatësisht që nuk kishin nënshkruar dokumentet e nevojshme që të riut t’i mundësohej trajtimi jashtë vendit. Nga QKUK janë deklaruar për rastin e 20 vjeçarit.
Për Insajderin detaje ka dhënë Gazmend Spahija, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv Qendror.
Ai konfirmoi se familjarët kanë parashtruar kërkesa për trajtimin e tij jashtë vendit. Përmendi Italinë e Turqinë.
Poashtu konfirmoi se ishin në kontakt edhe me drejtoreshën e një biznesi italian që merret me dërgimit e pacientëve jashtë vendit, me të cilën thonë se ranë në kontakt përmes familjarëve.
Lëndimet, thotë doktori se i kishte të rënda.
“Lidhur me pyet tuaja ju pergjigjemi se pacienti Jetart Berisha është trajtuar në Mjekimin Intensiv Qëndror nga data 23.05 – 02.07.2023, për shkak të lëndimeve të rënda të palcës kurrizore në nivel të unazave të qafës të shkaktuar nga arma e zjarrit, që në pranim pacienti ka pasur paralizë të të dy gjymtyrëve të poshtme dhe parez të gjymtyrëve të sipërme. Për shkak të lëndimeve të palcës kurrizore në këtë nivel pacienti shumë shpejtë ka filluar të ketë edhe problem me frymëmarrje për çka kemi qenë të detyruar t’ja sigurojmë frymëmarrjen në mënyrë invasive përmes aparatit dhe kur janë plotësuar kriteret edhe të realizojmë traheostomin. Gjatë kësaj periudhe kohore përmes familjarëve kemi kontaktuar edhe me një përfaqësuese Italiane (përfaqësuese e një biznesi Italian që merret me dërgim të pacientëve për shërim jashtë vendit) për trajtim të pacientit në Itali”, ka thënë ai për Insajderin.
Pas kësaj, Spahija ka deklaruar se pacientit i janë realizuar një sërë analizash.
Pas analizimit të situatës sipas tij u rekomandua që pacienti të trajtohej për problemin me mushkri dhe pastaj ata (Italia) të merren me rehabilitim.
“Gjatë tretmanit pacientit i janë realizuar CT, MRI dhe EMNG, rëntgent rutinor të gjoksit, analizat e gjakut, hemokulturat, ushtrimet fizikale, të cilat janë komentuar nga specialistët tonë të lëmive përkatëse. Me kërkesë të familjarëve këto të dhëna i janë komunikuar edhe përfaqësues italiane të cilët pas analizimit të këtyre të dhënave rekomanduan që së pari duhet të trajtohen problemet me mushkëri sepse ata do të miren me rehabilitim të pacientit“.
“Si edhe te të gjithë pacientët që trajtohen në Mjekimin Intensiv Qendror në faza të ndryshme të trajtimit realizohen konsultime me specialist të fushave përkatëse të cilat i janë realizuar edhe pacientit në fjalë me pulmologë, kirurg torakal, radiolog, neurolog kirurg spinal dhe mikrobiolog”, shtoi Drejtori i Anesteziologjisë.
Drejtori i kësaj klinike ka mohuar se ka pasur neglizhencë të rastit, për më tepër shton se kanë formuar edhe një grup me specialistë të kirurgjisë spinale për të parë se cili është konstatimi i tyre.
Spahija ka thënë se problemet e pacientit me frymëmarrje vazhdimisht janë përkeqësuar.
“Me kërkese gojore të familjarëve për transfer të pacientit në Turqi, kemi realizuar edhe një konzilium me specialist të kirurgjisë spinale sepse rekomandimin për trajtim jashtë vendit i takon kësaj fushe specialistike dhe të cilët kanë konstatuar se ”gjendja e pacientit është definitive dhe se nuk planifikohet ndonje intervenim eventual spinal”. Problemet me frymëmarrjen e pacientit vazhdimisht janë përkeqësuar dhe këto ndryshime kanë progreduar deri në dëmtime shumë të rënda të mushkërive – severe ARDS, vështirë të menaxhueshm të cilat pacienti nuk ka arrit ti përballojë. Sipas kësaj trajtimi i pacientit ka qenë multidisiplinar dhe konform gjendjes shëndetësore të pacientit”, ka deklaruar Spahija.
Çka tha italianja që u kujdes për të Jetart Berishën?
Pas vdekjes së Jetart Berishës ka reaguar edhe Angelica Korica, drejtoresha e një biznesi italian që merret me dërgim të pacientëve për shërim jashtë vendit.
Ajo në reagimin e saj bënte me dije se gjendja e 20 vjeçarit nuk ishte kritike. Madje për këtë thoshte se ka edhe dokument të firmosur.
“U bënë 2 muaj që familja më thirri për të vlerësuar zgjidhjet terapeutike për rastin tuaj. E cila nuk ishte KRITIKE! Të paktën deri më sot! Të paktën kështu na thanë dhe e firmosën më 23.7.2024”, ka shkruar ajo.
Theksojmë se deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, deklaroi se vdekja e të riut, Jetart Berisha, erdhi pasi gjendja shëndetësore e tij, kërkonte trajtim profesional të avancuar.
Kjo, siç pretendon Haxhiu nuk iu mundësua nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, teksa shtoi se ShSKUK dhe Mjekimi Intensiv Qendror e neglizhuan trajtimin e Jetart Berishës.
Përveç Jetart Berishës, me 7 qershor vdiq edhe babai i tij, Jeton Berisha që ishte njëri prej tre viktimat e tentim-vrasjes së para disa javësh në Pejë.
I dyshuari për këtë rast Agron Gashi, ndodhet nën masën e paraburgimit.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me familjarët e të ndjerit, për të parë se si do të veprojnë tutje, të njëjtit kanë deklaruar se po e mendojnë opsionin e padisë ndaj mjekëve që sipas tyre e neglizhuan rastin.
/Insajderi