Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar paraburgimin pesë të dyshuarve për vrasjen e një personi më 1 shtator në lagjen “Aktash” të Prishtinës, në rastin Sekiraqa-Capa.
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse për media në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke shtuar se pesë të dyshuarit do t’u shtohet paraburgimi me nga dy muaj secilit.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se me datë 29.11.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve K.G, V.A, R.Ll ,S.S dhe F.A.
“Të pandehurve K.G, V.A, R.Ll ,S.S dhe F.A iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj, për secilin”, tha Gashi.
Të dyshuarit janë në paraburgim nga muaji shtatori.