
Altin Krasniqi, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka reaguar pasi është zgjedhur deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi ka falënderuar strukturat e PDK’së në mbarë Kosovën, si dhe në Drenas për mbështetjen që iu është ofruar, shkruan Insajderi.
“Gjithashtu, dua të falënderoj nga zemra të gjithë qytetarët, mbështetësit, anëtarët dhe strukturat e PDK-së në të gjithë Kosovën, dhe veçanërisht në vendlindjen time, Drenas. Angazhimi dhe mbështetja juaj e palodhur më ka dhënë forcë dhe motivim për të vazhduar përpara. Faleminderit për besimin dhe përkushtimin tuaj. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë për një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë ndër të tjera ai.
Ai po ashtu ka pasur falënderim për ish-krerët e UÇK’së që ndodhen në Hagë, si dhe për babain e tij, Jakup Krasniqin, të cilin e quajti “heroi im”.
“Sot kam dy urime: Uroj që çlirimtarët tanë të kthehen sa më shpejt të lirë në atdheun e tyre, dhe uroj që Kosova të bëhet vendi që meritojmë”, ka thënë Krasniqi. /Insajderi.org/