Është përsëri ai. Pep Guardiola u zgjodh trajneri më i mirë i vitit në Premierligë.
Trajneri spanjoll e fitoi këtë çmim për herë të pestë pasi e udhëhoqi Manchester Cityn drejt titullit të kampionit në Angli për herë të katërt radhazi, respektivisht të gjashtin që prej vitit 2016.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta përfundoi i dyti, kurse podiumi kompletohet nga Unai Emery i Aston Villës, të cilën e kualifikoi në Ligën e Kampionëve.
Trajnerët më të mirë të vitit u votuan nga një listë prej pesë trajnerësh në një votim publik të kombinuar me një panel ekspertësh të futbollit.
Guardiola ndihet i lumtur për këtë çmim, ndërsa u tregua bujar, duke e ndarë këtë çmim me miqtë dhe njëherësh rivalët e tij.
“Dua ta ndaj këtë çmim sidomos me Mikel Artetën për punën e jashtëzakonshme që ka bërë deri në ndeshjen e fundit, duke na shtyrë në kufijtë tanë”, deklaroi fillimisht ish-trajneri i Barcelonës dhe i Bayern Munichut.
“Sigurisht, ky çmim është edhe për Jurgen Kloppin, për betejat e paharrueshme për shumë e shumë vite. Dhe për Unai Emery, që ka bërë diçka të pabesueshme përsëri, duke e çuar Aston Villën në Champions. Dhe për Andoni Iraolan e Bournemouthin, duke qenë sezoni i tij i parë në Premier League. Është nder të jem përkrah të gjithëve dhe të fitoj këtë trofe”, përfundoi Guardiola, i cili është trajneri i dytë me më së shumti çmime të tilla pas legjendarit të Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson./Express