
Avokati i Popullit ka dhënë një opinion llidhur me çështjen e shtrenjtimit të energjisë elektrike për 16,1 për qind nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Në komunikatën e lëshuar për media, thuhet se Avokati i Popullit vlerëson se rritja prej 16,1 për qind e tarifave për rrymën ndikon në rritjen e kostos së jetesës, “veçanërisht situatën e konsumatorëve në nevojë dhe të familjeve që përfitojnë asistencë sociale”, shkruan Insajderi.
“Më tej opinioni shpreh shqetësime serioze për mungesën e bashkërendimit ndërinstitucional dhe mosrespektimin e dispozitave të nenit 49 të Ligjit për Energjinë Elektrike, i cili kërkon konsultim ndërmjet ZRRE-së dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë”, vijon komunikata.
Vlerësimet e Avokatit të Popullit:
•Qeveria e Republikës së Kosovës ka obligim të veprojë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike, në mënyrë që vendimet e tilla të ZRRE, të përcillen me masa përmes të cilave do mbrohen të drejtat e konsumatorëve në nevojë dhe kategoritë e tjera të cenueshme, e po ashtu të ndërmarrin masa konkrete me qëllim të krijimit e kushteve të përballueshme edhe për komunitetin e biznesit, duke krijuar kushte të përshtatshme për liberalizim të tregut me kushte të favorshme, si dhe duke marr masa me qëllim që të shmangët krijimi i monopolit.
• Mungesa e institucioneve të konstituuara në kohën e marrjes së vendimeve ka pamundësuar një proces të balancuar dhe të përgjegjshëm.
• Vendimet e marra në mungesë të kapaciteteve të plota institucionale mund të sjellin pasoja të pariparueshme për qytetarët dhe nuk i shërbejnë interesit publik. Në këtë kontekst, është e domosdoshme të theksohet përgjegjësia që bie mbi qeverinë dhe institucionet përkatëse, të cilat kanë për detyrë të garantojnë një proces të rregullt, të drejtë dhe transparent në menaxhimin e kësaj çështjeje. Mungesa e transparencës gjatë procesit ka kontribuar në rritjen e mosbesimit publik, ndërsa shqetësimet e ngritura nga qytetarët kanë mbetur pa përgjigje adekuate, duke thelluar ndjenjën e papërgjegjshmërisë institucionale.
• Nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe konkrete për të përmbushur detyrimet ligjore ndaj qytetarëve, situata mund të marrë përmasa shqetësuese.
Avokati i Popullit ka kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimeve përkatëse deri në përfundimin e hetimeve dhe shqyrtimin e të gjitha aspekteve ligjore, sociale dhe ekonomike që lidhen me këtë çështje.
Në fund Avokati i Popullit thekson se është obligim i secilit institucion në Republikën e Kosovës, që të angazhohen në drejtim të ofrimit të shërbimeve në të mirë dhe dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe dispozitat ligjore në fuqi. Ky opinion publikohet me qëllim që të kontribuojë në rritjen e përgjegjshmërisë institucionale dhe të shërbejë si mbështetje për proceset gjyqësore në zhvillim, duke vendosur të drejtat e njeriut dhe interesin publik në qendër të politikave përfshi edhe atë energjetike.