Udhërrëfyesi i Henry Kissingerit për të shmangur një Luftë të Tretë - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Udhërrëfyesi i Henry Kissingerit për të shmangur një Luftë të Tretë

    Insajderi
    09 January 2023 - 11:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Henry Kissinger

    Lufta e Parë Botërore ishte një lloj vetëvrasjeje kulturore që shkatërroi eminencën e Evropës. Udhëheqësit e Evropës ecën si somnambul – për të huazuar frazën e historianit Christopher Clark – në një konflikt, në të cilin asnjëri prej tyre nuk do të kishte hyrë nëse do të kishin parashikuar se di do të ishte bota në fund të luftës, në vitin 1918. Në dekadat e mëparshme, ata i kishin shprehur rivalitetet e tyre duke krijuar dy grupe aleancash, strategjitë e të cilave ishin të lidhura me programet respektive për mobilizim. Si rezultat, në vitin 1914, vrasja e princit austriak të kurorës në Sarajevë të Bosnjës, nga një nacionalist serb, u lejua të përshkallëzohej në një luftë të përgjithshme që filloi kur Gjermania ekzekutoi planin e saj të gjithanshëm për të mposhtur Francën, duke sulmuar Belgjikën neutrale në anën tjetër të Evropës.

    Kombet e Evropës, jo mjaftueshëm të vetëdijshme për mënyrën se si teknologjia kishte përmirësuar forcat e tyre ushtarake, vazhduan të shkaktonin një shkatërrim të paprecedentë mbi njëra-tjetrën. Në gusht të vitit 1916, pas dy vitesh luftë dhe miliona viktimash, palët kryesore ndërluftuese në Perëndim (Britania, Franca dhe Gjermania) filluan të eksplorojnë perspektivat për t’i dhënë fund masakrës. Në Lindje, rivalët Austria dhe Rusia kishin ndjesi të ngjashme. Për shkak se asnjë kompromis i mundshëm nuk mund të justifikonte sakrificat e bëra tashmë dhe për shkak se askush nuk donte të jepte një imazh dobësie, udhëheqësit e ndryshëm hezituan të nisnin një proces formal paqeje. Prandaj kërkuan ndërmjetësimin amerikan.  Eksplorimi i kolonelit Eduard House, emisar personal i Presidentit ëoodroë ëilson, zbuloi se një paqe e bazuar mbi status quo-në e modifikuar të paraluftës, ishte e arritshme. Megjithatë, ëilsoni, ndonëse i gatshëm dhe përfundimisht i etur për të ndërmjetësuar, e shtyu deri pas zgjedhjeve presidenciale në nëntor. Deri atëherë, ofensiva britanike në Somme dhe ofensiva gjermane në Verdun kishin shtuar dy milionë viktima të tjera.

    Sipas fjalëve të librit mbi këtë temë, me autor Philip Zelikoë, diplomacia u bë rruga pë pak e shkelur. Lufta e Madhe vazhdoi edhe për dy vite të tjera, dhe mori miliona jetë të tjera, duke e dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme ekuilibrin e Evropës. Gjermania dhe Rusia u përfshinë nga revolucioni; shteti Austro-Hungarez u zhduk nga harta. Franca ishte përgjakur. Britania kishte sakrifikuar një pjesë të mirë të brezit të ri, si dhe kapacitetet ekonomike, në kërkim të fitores. Traktati ndëshkues i Versajës, që i dha fund asaj lufte, rezultoi shumë më i brishtë se sa struktura që ai zëvendësoi.

    A e gjen bota veten sot, në një pikë kthese të ngjashme në Ukrainë, teksa dimri imponon një pauzë të operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë atje? Unë kam shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetjen time për përpjekjen e përbashkët të aleatëve, për t’iu kundërvënë agresionit rus në Ukrainë. Por, tashmë po afron koha për të ndërtuar mbi ndryshimet strategjike që janë arritur tashmë dhe për t’i integruar ato në një strukturë të re, drejt arritjes së paqes përmes negociatave.

    Ukraina është bërë një shtet kryesor në Evropën Qendrore, për herë të parë në histori. E ndihmuar nga aleatët dhe frymëzuar nga presidenti i saj, Volodymyr Zelensky, Ukraina ka frenuar forcat konvencionale ushtarake ruse, të cilët kanë qëndruar mbi kryet e Evropës, qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Dhe sistemi ndërkombëtar – duke përfshirë Kinën – po i kundërvihet kërcënimit rus, apo përdorimit të armëve bërthamore. 

    Ky proces ka risjellë në qendër të diskutimeve, çështjen fillestare të anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Ukraina ka arritur të ketë ushtrinë më të madhe dhe efektive tokësore në Evropë, pajisur nga Amerika dhe aleatët e saj. Një proces paqeje duhet ta lidhë Ukrainën me NATO-n, sido që të shprehet. Alternativa e neutralitetit nuk është më kuptimplotë, sidomos pasi Finlanda dhe Suedia të hyjnë në NATO. Kjo është arsyeja përse, në maj, unë rekomandova vendosjen e një armëpushimi përgjatë kufijve ekzistues kur nisi lufta në 24 shkurt. Rusia do të lironte pushtimet e derisotme, por jo territoret që pushtoi pothuaj një dekadë më parë, duke përfshirë Krimenë. Ai territor mund të jetë temë negociatash, pas një armëpushimi.

    Nëse vija ndarëse e paraluftës mes Ukrainës dhe Rusisë nuk mund të arrihet përmes luftimeve apo negociatave, mund të eksplorohet parimi i vetëvendosjes. Referendumet e mbikëqyrur ndërkombëtarisht në lidhje me vetëvendosjen mund të vihen në zbatim për territore veçanërisht të përçarë, të cilët kanë ndryshuar vazhdimisht duar përgjatë shekujve. 

    Qëllimi i një procesi paqeje, do të ishte i dyfishtë: të konfirmojë lirinë e Ukrainës dhe të përcaktojë një strukturë të re ndërkombëtare, sidomos për Evropën qendrore dhe lindore. Me kalimin e kohës, Rusia duhet të gjejë një vend në një rend të tillë. 

    Rezultati i preferuar për disa, është një Rusi e dobësuar dhe e pafuqishme për shkak të luftës. Nuk jam dakord. Sado e prirur të jetë drejt dhunës, Rusia ka bërë disa kontribute vendimtare për ekuilibrin global dhe ekuilibrin e fuqive, për më shumë se 500 vjet. Roli i saj historik nuk duhet zhvlerësuar. Sprapsjet ushtarake nuk e kanë eleminuar shtrirjen bërthamore globale të Rusisë, gjë që i bën të mundur të kërcënojë me përshkallëzim në Ukrainë. Edhe nëse ky kapacitet reduktohet, shpërbërja e Rusisë ose shkatërrimi i aftësisë së saj për politika strategjike, mund ta shndërrojë territorin e saj të përbërë nga 11 zona orare, në një vakuum të kontestuar. Shoqëritë konkurruese brenda saj mund të vendosin që t’i zgjidhin me dhunë mosmarrëveshjet mes tyre. Të tjerë shtete mund të kërkojnë të zgjerohen me forcë. Të gjithë këto rreziqe do të amplifikoheshin me praninë e mijëra armëve bërthamore, që e bëjnë Rusinë një prej dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë. 

    Teksa udhëheqësit botërorë përpiqen t’i japin fund luftës, në të cilën dy fuqi bërthamore luftojnë për një vend me ushtri konvencionale, ata duhet të reflektojnë gjithashtu për impaktin që ka mbi këtë konflikt dhe mbi strategjinë afatgjatë, teknologjia dhe inteligjenca artificiale. Armët autonome ekzistojnë tashmë, në gjendje të përcaktojnë, vlerësojnë dhe shënjestrojnë ato që ato vetë i perceptojnë si rreziqe, duke qenë si pasojë në gjendje të nisin vetë luftëra. 

    Një herë që kjo vijë do jetë shkelur dhe armët e teknologjisë së lartë shndërrohen në armatime standarte – dhe kompjuterat shndërrohen në ekzekutuesit parësorë të strategjive – bota do e gjejë veten në një gjendje, të cilën tani as nuk e koncepton dot. Si mund të ushtrojnë kontroll udhëheqësit, kur kompjuterat japin udhëzime strategjike në një shkallë dhe një mënyrë, e cila kufizon dhe rrezikon inputin njerëzor? Si mundet qytetërimi të mbijetojë, në mesin e kësaj vorbulle informacionesh, perceptimesh dhe kapacitetesh shkatërrimtare?

    Ende nuk ekziston një teori për këtë lloj bote, dhe përpjekjet këshilluese për këtë temë duhet të zhvillohen – ndoshta negociata kuptimplota mund të nxjerrin zbuluar zbulimet e reja, dhe këto zbulime në vetvete përbëjnë një rrezik për të ardhmen. Kapërcimi i ndarjes mes teknologjisë së përparuar dhe konceptit të strategjive për ta kontrolluar atë, apo edhe kuptuar pasojat e plota të saj, është një çështje po kaq e rëndësishme sot sa edhe ndryshimi i klimës, dhe kjo kërkon udhëheqës që zotërojnë edhe teknologjinë, edhe historinë.

    Kërkimi i paqes dhe rendit ka dy komponentë që ndonjëherë trajtohen si kontradiktorë: kërkimin e elementëve të sigurisë dhe të akteve për pajtim. Nëse nuk i arrijmë të dyja, nuk do të jemi në gjendje të arrijmë asnjërin. Rruga e diplomacisë mund të duket e ndërlikuar dhe irrituese. Por përparimi në këtë rrugë, kërkon edhe vizionin, edhe kurajën, për ta ndërmarrë këtë udhëtim. / The Spectator – Bota.al

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark