Lulzim Veseli ndau 100 euro për të paguar sigurimin e makinës për tre muaj, rrugës së tij nga Kosova për në Gjermani.
“Maltretim dhe i kushtueshëm”, thotë ai, teksa rrëfen për udhëtimin me makinë në fillim të shkurtit.
Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk bën pjesë në Këshillin e Byrove Evropiane dhe, rrjedhimisht, qytetarët e saj mbeten jashtë Sistemit të Kartonit të Gjelbër.
Kartoni i Gjelbër është certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve dhe njihet nga autoritetet e 47 vendeve të Këshillit të Byrove Evropiane.
Në mungesë të tij, qytetarët e Kosovës, kur dalin jashtë, duhet të paguajnë shuma të ndryshme – varësisht kohëzgjatjes së qëndrimit në vendin e huaj.
Situata është e tillë prej vitesh, përkundër përpjekjeve të autoriteteve për të gjetur zgjidhje.
Por, ajo është risjellë në fokus pas liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari i këtij viti, dhe rritjes së numrit të qytetarëve që udhëtojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës.
Përveçse pranojnë kostot financiare që shkakton mungesa e Kartonit të Gjelbër, institucionet përgjegjëse nuk japin shumë informacione se çfarë është duke u bërë për të siguruar këtë sigurim të automjeteve.
Eman Rrahmani, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje – partisë në pushtet, e ngriti çështjen e mungesës së Kartonit të Gjelbër si temë në një mbledhje të Komisionit parlamentar të Kosovës për buxhet, punë dhe transfere, që u mbajt këtë muaj.
Ai tha se shkas ishte rritja e numrit të udhëtareve nga Kosova drejt vendeve të BE-së, pas liberalizimit të vizave.
Kartoni i Gjelbër është “barrë për qytetarët e Kosovës”, tha Rrahmani.
Ai nuk specifikoi se sa është rritur numri i udhëtarëve, por për këtë dukuri REL-i raportoi më 9 mars.
Në të njëjtën mbledhje të Komisionit për buxhet mori pjesë edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.
Institucioni i tij mbikëqyr dhe rregullon tregun e kompanive të sigurimeve në Kosovë, përfshirë edhe Byronë Kosovare të Sigurimeve, e cila ka rol kryesor në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane.
Duke kujtuar faktin se Kosova nuk është anëtare e OKB-së, Ismaili tha se janë propozuar tashmë “dy-tri alternativa të tjera” për sigurimin e Kartonit të Gjelbër, që, siç tha, kanë shënuar përparim.
Por, ai nuk specifikoi më shumë.
“Për shkak se janë kryesisht takime bilaterale, ndoshta nuk është e drejtë të shpalos shumë se me cilët partnerë”, tha Ismaili.
“Kjo çështje është duke u trajtuar së bashku me institucionet përkatëse dhe është ndër objektivat e Planit Strategjik të BQK-së”.
As Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) nuk dha ndonjë përgjigje konkrete, pos që “mbetet në kontakt” me Këshillin e Byrove Evropiane, me seli në Bruksel.
“Mos anëtarësimi i Kosovës në OKB është pengesa që e pamundëson pranimin e BKS-së në Këshillin e Byrove Evropiane”, thanë nga kjo byro.
Për këtë temë, REL-iu iu drejtua edhe Qeverisë së Kosovës, edhe Këshillit të Byrove Evropiane, por prej këtyre dy institucioneve nuk mori asnjë përgjigje.