Shtatë muaj pas sinjalizimit të kompanisë së monitorimit të kuotave dhe parave në basteve sportive, “Federbet”, kampionët e Shqipërisë të Skënderbeut, nuk janë më thjesht të dyshuar, por ndaj tyre është hapur një hetim nga UEFA.
Prej ditës së martë, presidenti i skuadrës korçare, Ardjan Takaj dhe drejtori sportiv i klubit Haris Fakic ndodhen në Gjenevë, ku jo vetëm po diskutohet, por edhe pritet një vendim i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s për disa ndeshje të dyshuara si të fiksuara.
Në një komunikatë për shtyp të publikuar në faqen e saj, skuadra korçare konfirmon një gjë të tillë duke shtuar veç ndeshjeve në Europë edhe disa të kampionatit shqiptarë si me Partizanin, Tiranën, Teutën dhe Vllaznisë.
Francesko Branka, Sekretari i Përgjithshëm i Federbet në muajin tetor të vitit të shkuar përmendi ndeshjen e fazës së grupeve të kupës Europa League, mes Sportingut të Libonës dhe Skënderbeut që përfundoi me rezultatin 5-1.
Për atë ndeshje raporti i “Federbet” thotë se në pjesën e dytë kryesisht, ka patur një fluks bastesh se do të shënoheshin shumë gola.
Në të vërtetë, pjesa e parë përfundoi 2-0 në favor të skuadrës Portugeze dhe në pjesën e dytë u shënuan 4 gola të tjerë, 3 për portugezët dhe një Skënderbeu në minutën e fundit.
Komisioni i disiplinës së UEFA-s pritej të reagonte të mërkurën, ndërkohë që duket se për momentin do të ketë një shtyrje të përkohshme të zbardhjes së këtij vendimi. /Insajderi.com