“Ujqërit’ që ndanë buxhetin e shtetit në 2024, në krye Gjoka, Salillari, Fusha, Islamaj, Geci, Buzi dhe Ismailaj – Insajderi
×
  • Lajme
  • Shqipëri/Rajon

    “Ujqërit’ që ndanë buxhetin e shtetit në 2024, në krye Gjoka, Salillari, Fusha, Islamaj, Geci, Buzi dhe Ismailaj

    Insajderi
    16 January 2025 - 16:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania e ndërtimit të rrugëve Gjoka Konstruksion (Rrok Gjoka) udhëhoqi listën e kontratave të prokurimeve publike gjatë vitit 2024, duke fituar gjashtë kontrata me vlerë të përgjithshme 8.8 miliardë lekë (rreth 89 milionë euro), ku projekti më i madh ishte kontrata për rehabilitimin e rrugës Fier – Frataj me vlerë 3.6 miliardë lekë.

    Kompania Gjoka fitoi tenderë për ndërtim rrugësh si dhe për ndërtim ujësjellësish. Projekti më i kushtueshëm sa i përket ujësjellësave është ai i titulluar: “Furnizim me ujë i zonave bregdetare Zonat e Investimit Strategjik  Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi Faza e III”, për të cilin taksapaguesit po shpenzojnë rreth 800 milionë lekë pa TVSH (rreth 8 milionë euro).

    Kompania “Salillari” (Pëllumb Salillari) u rendit në vend të dytë me tetë kontrata me vlerë të përgjithshme 4.6 miliardë lekë. Kontrata më e madhe titullohet: Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Papërr Faza I me vlerë 2 miliardë lekë.

    Kompania “Fusha” (Shkëlqim Fusha) u  kthye në majë të renditjes së kontraktorëve vitin e kaluar pas disa vite mungesash. Ajo fitoi shtatë kontrata me vlerë të përgjithshme 4 miliardë lekë, duke u renditur në vend të tretë. Kontrata më e madhe është Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë (Faza VIII) me vlerë 2.2 miliardë lekë.

    Kompania BE  –  IS   SH.P.K (Hamz Islamaj) fitoi 11 kontrata me vlerë të përgjithshme 3.7 miliardë lekë. Kontrata më e madhe është “Ndërtim aksi rrugor Papërr – Ura e Grykshit, Faza II” me vlerë 2.1 miliardë lekë.

    Në vend të pestë u rendit kompania Agbes Konstruksion, (Arben Gogaj dhe Bashkim Ramaj) e cila fitoi dy kontrata me vlerë të përgjithshme 3.5 miliardë lekë. Njëra kontratë titullohet “Ndërtim aksi rrugor Papërr – Ura e Grykshit, Faza I” ndërsa kontrata tjetër ka të bëjë me zgjerimin e rrugës së Ksamilit.

    Kompania Geci (Ramë Geci) fitoi gjashtë procedura prokurimi me vlerë të përgjithshme 3.1 miliardë lekë. Kontrata më e madhe është “Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Papërr Faza II”.

    Në vend të shtatë u rendit kompania 2 T (Artan Sako) me gjashtë kontrata me vlerë të përgjithshme 2.9 miliardë lekë. Kontrata më e madhe është për “Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Papërr Faza III” me vlerë 2.2 miliardë lekë.

    Kompania G.P.G. COMPANY (Paqësor Buzi dhe Gëzim Dani) fitoi katër procedura prokurimi me vlerë të përgjithshme 2.8 miliardë lekë. “Ndërtim rruga Berat – Ballaban, Loti 1” me vlerë 1.7 miliardë lekë.

    Kompania Albstar (Idajet Ismailaj) u rendit e nënta me një kontratë të vetme, kontratën “Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë (Faza VI)” me vlerë 2.3 miliardë lekë.

    Në vend të dhjetë u rendit kompania ANK (Agim Kola) gjithashtu me një kontratë të vetme “Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë (Faza VII)” me vlerë 2.8 miliardë lekë.

    Në tenderët e sektorit publik gjatë vitit të kaluar u shpallën fitues 2216 kompani, por dhjetë kompanitë e mëdha fituan 29% të të gjithë fondit të prokurimit, ndërsa 50 kompanitë e mëdha fituan mbi 800 milionë euro kontrata ose 62% të fondit limit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Shqipëri/Rajon
    16 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark