Anëtarët e klubit motoçiklist rus “Ujqit e natës”, besnikë të presidentit rus Vladimir Putin, janë parë në rrugët e Serbisë duke festuar “çlirimin e Beogradit”, shkruan Insajderi.
Qytetarët e mbledhur nga lëvizja “Besmrtni puk” (Regjimenti i Pavdekshëm) organizuan një manifestim për të nderuar pjesëmarrësit e Luftës së Dytë Botërore.
Një ditë më parë, ata u nisën në një marsh nga Monumenti i Çlirimtarëve të Beogradit të vitit 1944 në drejtim të Sheshit të Republikës, ku do të vazhdojë ceremonia e shënimit të “çlirimit të kryeqytetit”.
Pjesëmarrës edhe qeveritaret serbë
Marshi kryesohej nga presidenti i nderit i fondacionit “Besmrtni puk”/regjimenti i pavdekshëm dhe ministri Nenad Popoviq, zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, ministrja e Mbrojtjes së Mjedisit, Irena Vujoviq, zëvendëskryetari i Këshillit të Federatës Ruse, Konstantin Kosaçov, zëvendëskryetari i Dumës Shtetërore, Petar Tolstoj, dhe ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.
Përpara kolonës shihej grupi “Ujqërit e Natës”.
Çka është grupi “Ujqërit e Natës”?
“Ujqërit e Natës” kanë qenë të spikatur në Ballkan, ku ata perceptoheshin si vija e parë e frontit në përpjekjet e Kremlinit për të rritur ndikimin e saj në rajon.
“Ujqërit e Natës” janë një klub motoçiklistësh rus që u formua në vitin 1989 dhe janë të njohur për lidhjet e ngushta me Kremlinin dhe presidentin Vladimir Putin.
Ky klub shpesh është përshkruar si një grup nacionalist që promovon vlerat e konservatorizmit dhe patriotizmit rus. Ata janë përkrahës të fuqishëm të politikave të Putinit dhe shpesh marrin pjesë në ngjarje publike që mbështesin qeverinë ruse.
“Ujqërit e Natës” janë të njohur për rolin e tyre në përhapjen e ndikimit rus në vendet ish-sovjetike dhe kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, përfshirë edhe fushata pro-ruse në Krime dhe Ukrainë gjatë krizës së vitit 2014.
Ky grup ka organizuar edhe “ture patriotike” nëpër vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, duke përkujtuar fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.
Anëtarët e klubit kanë qenë të përfshirë në aktivitetet që mbështesin interesat strategjike të Rusisë jashtë vendit, dhe shpesh i janë akorduar nderime shtetërore nga qeveria ruse.
Ky grup shihet si një simbol i fuqisë së fortë kombëtare dhe frymës konservatore që përfaqëson pushtetin e Putinit.
Theksojmë se “Ujqërit e natës” janë futur në listën e zezë nga vendet e Perëndimit, për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë politikave pushtuese të Putinit në Ukrainë.
/Insajderi