![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Kievi zyrtar ka njoftuar të enjten se gjatë gjashtë muajve të fundit janë kapur 909 ushtarë rusë në rajonin perëndimor rus të Kurskut. Fushata ushtarake është vlerësuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, si një mjet i mundshëm pazaresh në bisedimet e paqes.
Qëllimi kryesor i operacionit, që është më i madhi prej një ushtrie të huaj në territorin e Rusisë që prej Luftës së Dytë Botërore, ka qenë kapja e ushtarëve rusë për t’i shkëmbyer me të burgosur të luftës ukrainas.
Ushtria e Ukrainës doli me një deklaratë ku thuhet se operacioni “ka bërë të mundur kthimin e çlirimtarëve ukrainas të mbajtur peng në burgjet ruse”.
Të enjten shënohet muaji i gjashtë që nga lansimi i ofensivës ushtarake në rajonin e Kurskut, që ishte një goditje e papritur për Kremlinin. Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka lavdëruar trupat e tij duke thënë se “operacioni në Kursk demonstron qartë thelbin e parimit ‘paqe përmes forcës’”.
Kievi dhe Moska zyrtare vazhdojnë të shkëmbejnë të burgosur, pavarësisht se janë në luftë për afërsisht tre vjet, me Ukrainën që e ka shndërruar kthimin e të burgosurve të luftës në një prioritet.