×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Ukraina teston raketën balistike, trupat avancojnë në Rusi, Moska bombardon nga ajri

    Insajderi
    27 August 2024 - 15:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Trupat ukrainase vijojnë të avancojnë në rajonin rus të Kursk, duke shtyrë Moskën të hakmerret me sulme masive ajrore. Kreu i forcave ushtarake të Kievit, Oleksandr Syrskyi bëri të ditur se Ukraina kontrollon tani 100 vendbanime dhe 1294 km katrorë të territorit rus.

    Sipas tij, mbi 590 ushtarë të Moskës ishin kapur rob. Duke folur përmes një videolidhjeje për një televizion ukrainas, Syrskyi tha se një prej objektivëve të inkursionin ukrainas në Kursk ishte të detyronin tërheqjen e trupave armike nga zonat lindore të Ukrainës, dhe ai ishte përmbushur me sukses.

    Megjithatë, pranoi se situata në frontin e Pokrovsk mbetej tejet e vështirë. “Sigurisht që operacioni në Kursk devijoi një numër forcash nga lindja e Ukrainës. 30 mijë trupa janë dërguar në frontin e Kursk dhe kjo shifër po rritet. Ne vazhdojmë të avancojmë dhe ti shkaktojmë humbje të konsiderueshme ushtrisë ruse. Aktualisht kontrollojmë 1294 km katrorë territor, ku përfshihen 100 vendbanime.”

    Siç bëri të ditur guvernatori i rajonit rus të Belgorod, trupat ukrainase kanë sulmuar 3 fshatra edhe atje. Inkursioni në territorin rus, ka turpëruar Moskën, e cila po përpiqet të rimarrë kontrollin në luftë më një valë sulmesh ajrore.

    Të paktën 4 vetë u vranë e shumë të tjerë u plagosën në orët e para të së martës, ku Rusia lëshoi për të dytën natë radhazi, breshëri raketash e dronësh në rajonet e Kievit, Sumit, Mikolaivit, e Krivih Rih.

    Në Krivi Rih, vendlindja e presidentit Zelenski, u godit një hotel dhe dy persona humbën jetën. Zelenski u zotua se Kievi do të kundërpërgjigjet me vendosmëri ndaj këtyre sulmeve ndërsa njoftoi se kishin realizuar me sukses testin e parë të raketave balistike të prodhuara në vend.

    Sipas autoriteteve ukrainase, 10 raketa mes të cilave edhe hipersonike, dhe 81 dronë u përdorën në sulm./ A2 CNN

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark