Partia në pushtet nuk ka aspak hise në rinovimin e Soliterëve të Ulpianës. Investimi që i takon Millennium Foundation Kosovo dhe komunës së Prishtinës është realizuar nga Ndërmarrja Publike Banesore. Këtë të fundit Lëvizja Vetëvendosje dikur e pati quajtur “ndërmarrje kriminale”, ndërsa dje krenohej me projektin e saj.
Gazeta Insajderi
“Bashkëpunimi në kursimin e energjisë do t’i rritë gjasat e do të na e bëjë dimrin më të lehtë të gjithëve”, thuhet në videon e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje që mban titullin: Qeveria Kurti ka menaxhuar suksesshëm me energjinë.
Në fund të “shfaqjes” 3 minuta e 21 sekonda të “aktorëve” të Albin Kurtit shfaqen edhe soliterët e rinovuar të Ulpianës, të cilët u përuruan dje.
Një punë kjo e përvetësuar nga partia në pushtet, por që ishte nisur nga krejt dikush tjetër në fillim të vitit të kaluar, shkruan Gazeta Insajderi.
Kur kishte nisur projekti dhe nga kush?
Më 5 mars të vitit 2021, Komuna e Prishtinës dhe Millennium Foundation Kosovo (MFK) kishin nënshkruar marrëveshje për rinovimin e soliterëve në lagjen Ulpiana.
Kryetari i atëhershëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pati thënë se nënshkrimi i marrëveshjes me MFK-në është një sukses i madh, pasi investimet në banesat në Ulpianë kanë qenë të domosdoshme.
“Ka të bëjë me ndërtesat e Ulpianës, e cila ka një planifikim të mirë rekreacioni, solitera këta që janë të njohur dhe të mbështjella në mënyrë interesante të cilat nuk janë ndërruar asnjëherë dhe ankesat e qytetarëve kanë qenë nga më të ndryshmet, dhe kjo ka qenë arsyeja që të kërkojmë ndihmë nga MFK-ja”, pati thënë Ahmeti, shkruan Gazeta Insajderi.
Por, kush e preu shiritin?
Për ta prerë shiritin e rinovimit të soliterëve të Ulpianës, aty ishte edhe Artane Rizvanolli, ministrja e Ekonomisë.
Ajo së bashku me drejtoreshën e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçait, Alice Albright, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, si dhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, inauguruan “Kullat e Efiçiencës”.
Projekti i i rinovimit të këtyre të fundit është realizuar nga Ndërmarrja Publike Banesore, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas marrëveshjes, në soliterët e Ulpianës, NPB ka vendosur dritaret e reja që së bashku me fasadën e re, parashihen të ndihmojnë në ruajtjen e energjisë elektrike dhe asaj termike.
Projekti që ende nuk ka përfunduar në tërësi, ka kushtuar 2.8 milioën euro. 60 për qind e mjeteve janë financim nga fondi amerikan, 30 për qind financim nga Komuna e Prishtinës, ndërsa 10 për qind do t’i paguajë NPB.
Këtë të fundit, punën e të cilës e promovoi dje Lëvizja Vetëvendosje në profilin e saj, dikur e pati quajtur “ndërmarrje kriminale”, shkruan Gazeta Insajderi.
‘Lufta’ e Albin Kurtit me Ndërmarrjen Publike Banesore
Kryeministri Albin Kurti më 8 shtator pati bërë një status që lidhje ekskluzivisht me një projekt të Ndërmarrjes Publike Banesore.
Ai e pati akuzuar gjyqësorin se ka heshtur një lëndë për bllokimin e një investimi, që është pikërisht i NPB-së, por e vërteta qëndron ndryshe.
Gazeta Insajderi pati publikuar dokumentet që demantojnë kryeministrin.
Ai tha se Gjykata Themelore të Prishtinës ka heshtur për një muaj ndaj kërkesës së asamblistëve të tij në Prishtinë për masë të sigurisë, për mbrojtje të 17 mijë m2 pronë publike në Prishtinë.
“Masa e sigurisë, analoge me atë të masës së përkohshme, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë”, ka shkruar Kurti, në profilin e tij në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.
Por, kjo nuk është e vërtetë, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës, qysh në shkurt të këtij viti, i ka kthyer përgjigje palës propozuese paditëse, atëherë Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, që mban datën 22 shkurt 2022, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi thuhet se: Refuzohet si i pabazuar propozimi për caktimin e masës së sigurimit të paditëses-propozuese Qeveria e Republikës së Kosovës, me të cilën ka kërkuar që të caktohet masa e sigurimit ndaj 17 mijë m2.
Që i bie, se Themelorja e Prishtinës nuk ka heshtur ndaj propozimit të Qeverisë që e ka bërë përmes Avokaturës Shtetërore për vendosjen e masës së sigurisë, por e ka refuzuar atë.
Dy muaj më pas, më 21 prill 2022, kundër kërkesë së Qeverisë për vendosjen e masës së sigurisë kundër investimit milionësh ka vendosur edhe Gjykata e Apelit, duke e vërtetuar vendimin paraprak të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Duke mos i marrë parasysh këto vendime, asamblistët e Kurtit, i janë rikthyer edhe një herë kësaj çështjeje, në gusht.
Por, ligjërisht ata nuk kanë të drejtë që në civile të propozojnë mase sigurie sepse nuk janë palë në proces.
Ndryshe, investimi për të cilin LVV ka ngritur padi kap vlerën e 120 milionë eurove, duke qenë një prej projekteve më të mëdha në Prishtinë, e që është goditur nga Qeveria Kurti.
Me projektin e ri që ka filluar tash e dy disa vjet, ndërmarrjes NPB do të i rritet pasuria për 50%.
Të hyrat vjetore nga qiratë e objektiti shumëkatësh do të rriten për mbi 400%, sipas NPB-së duke rritur kështu fitimin nga qiratë prej 1.2 milionë euro në vit, në 5.1 milionë euro, shkruan Gazeta Insajderi.
Gjykimi për këtë rast ka nisur dy ditë më parë, ndërsa aty në rolin e spektatorëve ishin nëntë deputetë të partisë në pushtet.
Sikur Arjeta Fejza, Tinka Kurti, Adnan Rrustemi, Enver Haliti, Luan Aliu, Salih Zyba, Jeta Statovci, Enver Dugolli dhe Arjeta Rexhepi.
Ishte deputetja Kurti ajo që njoftoi publikun për këtë pjesëmarrje, duke thënë se kishin shkuar për rastin e NPB-së “ku pritej të mbroheshin 17 mijë metra katrorë pronë publike”.