“Ultimatumi” i Drenorit për Lladrovcin e Xhemajlajn – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Ultimatumi” i Drenorit për Lladrovcin e Xhemajlajn

    Insajderi
    07 December 2016 - 17:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Xhavit Drenori, kandidat i pavarur në garën për kryetar të Drenasit, që doli i treti në rundin e parë të zgjedhjeve, ka rikonfirmuar se ai nuk do të jetë pjesë e qeverisjes së re në këtë komunë, por tashmë ka marrë rolin e “udhëzuesit” të votuesve të tij se për cilin kandidat duhet votuar në rundin e balotazhit që mbahet më 18 dhjetor.

    Për këtë qëllim, ai u ka dërguar një marrëveshje të dy kandidatëve – Ramiz Lladrovcit të PDK-së dhe Isa Xhemejlajt të Nismës – përmes së cilës ai ka kërkuar gjashtë veprime që duhet realizuar nga kandidatët në rast se ata arrijnë të fitojnë në zgjedhje.

    Cili nga kandidatët pranon kushtet e Drenorit, do të fitojë edhe përkrahjen e votuesve të tij.

    “Unë dhe ekipa ime kemi vendosur që definitivisht mos të jemi pjesë e qeverisjes lokale të vitit 2017, mirëpo për t’ju lehtësuar Juve vendimin se cili kandidat do duhej të mbështetej me 18 Dhjetor, nënshkrimi i kësaj marrëveshje ose jo, deri nesër në ora 12:00 do të jetë sugjerimi ynë për Ju”, ka shkruar Drenori në llogarinë e tij në Facebook.

    Ai ka dhënë arsyet se si ka ardhur deri tek ky vendim.

    “Duke qenë se programi ynë dhe vendosmëria jonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në qeverisjen lokale në Drenas në zgjedhjet e 04 Dhjetorit ishte “arma” e fortë që u pozicionuam si të pavarur në pozitën e tretë, sot zyrtarisht ju dërguam një ofertë për marrëveshje të dy kandidatëve në garë, gjashtë veprime që janë urgjente për realizim në qeverisjen lokale 2017, në periudhën tre deri gjashtë mujore”, ka sqaruar ai.

    Por, Drenori nuk ka dhënë ndonjë sqarim se si do të vepronte, në rast se të dy kanidatët do të kthenin një përgjigje pozitive për kërkesën e tij.

    “Ne, ekipa Drenori, jemi të vetëdijshëm që votuesit dhe përkrahësit tanë do kenë mirëkuptim për pozicionin tonë si ekipë, meqë behët fjalë për parime, ne do të vazhdojmë të ndihmojmë secilin kandidat që fiton mandatin e kryetarit për të qeverisur mirë, dhe e kundërta do ti dalim me gjithë forcën demokratike përpara për ta penguar të punoj jashtëligjshëm”, ka shtuar ai.

    “Unë do vazhdoj të jem anëtar i kuvendit komunal (Asamblist) dhe nga ai pozicion të monitoroj mbarëvajtjen e marrëveshjes nëse ajo do nënshkruhet nesër, dhe nënshkruesi i saj do jetë kryetar i ardhshëm. Përndryshe, unë dhe ekipa ime nuk kemi qenë të etur për pushtet sa kemi qenë dhe jemi të etur për ndryshime pozitive në qeverisjen lokale në Drenas.”/Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark