
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e sanksioneve të reja të ashpra dhe tarifave tregtare ndaj Rusisë, duke theksuar se këto masa do të qëndrojnë në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare për paqen me Ukrainën.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi:
“Duke u bazuar në faktin se Rusia po ‘godet’ Ukrainën në fushën e betejës tani, unë po shqyrtoj me forcë sanksione të mëdha bankare, sanksione dhe tarifa ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe një marrëveshje përfundimtare për paqen. Për Rusinë dhe Ukrainën, uluni tani në tavolinën e bisedimeve, para se të jetë vonë.”
Ky reagim i Trump vjen pas tensioneve të shtuara mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për qasjen ndaj luftës në Ukrainë. Burime nga administrata amerikane bëjnë me dije se sanksionet e reja mund të përfshijnë ndalime financiare për bankat kryesore ruse dhe rritjen e tarifave doganore për eksportet ruse drejt SHBA-së.
Lëvizja e Trump vjen pas një takimi të tensionuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ku Trump kritikoi lidershipin e tij për mosangazhimin e menjëhershëm në negociata për paqen. Presidenti amerikan i bëri thirrje Moskës dhe Kievit që të ulen menjëherë në tryezën e bisedimeve për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.