Driton Sahiti pretendon se iu është bërë e padrejtë djalit të tij, Mal Sahiti, në përzgjedhjen e tre emrave nga Federata e Taekwondo-së, për programin “Super Sportistët”.
Sipas tij, Mali ishte dashur të jetë në vend të Elion Agushit, djalit të kryetarit të Federatës së Taekwondo-së, Arsim Agushi.
Se mund të ndodh një diskriminim, Sahiti e kishte paralajmëruar edhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, në ditën e fundit për dorëzimin e emrave nga Federata në Komisionin për Performancë të Lartë Sportive.
“Vendimi që Mal Sahiti të mos hyjë në 3 emrat e parë jo vetëm që është i padrejtë, por edhe argumentimi dhe përpilimi i këtij vendimi është bërë në mënyrë totalisht jo profesionale, duke manipuluar faktet dhe kriteret e përmendura për përzgjedhjen”, thuhet ndër të tjerash në letrën e Sahitit drejtuar Çekut.
Pak kohë pa u mbyllur afati, përveç tij, edhe trajneri i klubit “Fight Factory”, Butrint Ejupi, kishte dërguar një letër në drejtim të Federatës, për të bërë vlerësimin sa më transparent dhe pa mundësi për “konflikt të interesit”.
Komisioni i Federatës kishte përzgjedhur Bleron Ademin, Jon Gashin dhe Elion Agushin për programin “Super Sportistët”. Për dy të parët, Sahiti beson që e meritojnë.
Nga ky program i MKRS-së, do të përfitojnë 24 sportistë. Vlera maksimale e mbështetjes së një sportisti/sportise brenda një sezone të programit është 80 mijë euro. Ndërsa, vlera minimale e mbështetjes është 20 mijë euro për sezon të programit.
I pyetur nga TV Dukagjini, rreth kësaj çështje, Driton Sahiti shprehet i bindur se djali i tij, Mali, është ndër tre më të mirët.
“E vlerësoj si një padrejtësi të madhe që i është bërë Malit, pasi që në të gjitha kategoritë dhe nga çdo aspekt është e qartë dhe lehtë e verifikueshme se Mal Sahiti është ndër tre më të mirët. Mendoj se kjo ka ndodhur pasi që Elion Agushi është djali i Kryetarit të Federatës së Taekwondos, Arsim Agushi.”, ka thënë ai.Sahiti shpreson që pas ankesës që ka bërë, Komisioni i Ministrisë do të vendos në favor të Malit.
Ai pretendon edhe për një bisedë që kishte pasur paraprakisht me kryetarin e Federatës, Arsim Agushi, i cili i kishte thënë se “unë e dërgoj djalin tem aty”.
“Po, kam dërguar një email paralajmërues në maj Ministrit Çeku, Zv. Ministres Osmani, Kryetarit dhe Sekretarit të KOK-ut, ku i kam informuar se Federata e Taekwonos do të dërgojë emrin e Elion Agushit, i cili është djali i Kryetarit të Federatës, Arsim Agushi. Këtë ma ka thënë edhe në një takim ku kemi qenë me trajnerin Butrin Ejupi, direkt në sy: “Unë e dërgoj djalin tem aty”.
“Është për të çuditur që, pavarësisht se kanë qenë të informuar dhe pavarësisht faktit që Ministria ka një zyrtar që merret direkt me Federatat, kjo është lejuar. Por unë kam shpresa dhe besoj shumë që pas ankesës zyrtare (që ishte e parashikueshme të ndodhte), komisioni të vendosë në favor të Malit”, ka thënë Sahiti.
Gjithashtu, edhe në dokumentin e MKRS-së për grantin për performancë të lartë sportive “Super Sportistët” ceket se komisioni ka të drejtë të zgjedh sportistë të tjerë të sportit përkatës, nëse vlerëson se në aplikimin e Federatës Sportive ka mbetur jashtë propozimeve ndonjë sportist me potencial të lartë për të qenë Super Sportist.
“Sportistët përzgjedhen pas propozimeve që bëhen nga Federatat Sportive, por në rastet kur komisioni vlerëson se në aplikimin e Federatës Sportive ka mbetur jashtë propozimeve ndonjë sportist me potencial për të qenë Super Sportist, komisioni mbanë të drejtën e zgjedhjes së sportistëve të tjerë të sportit përkatës, jashtë propozimeve të Federatës Sportive, bazuar në rezultatet e tyre sportive të parapara në kriteret e këtij programi. Gjatë procesit do të zhvillohet edhe plani i aktiviteteve dhe plani financiar në koordinim me palët e përfshira në proces”, shkruan në këtë dokument.
MKRS ka thënë se procesi është aktualisht në fazë të pranimit të ankesave.
“Procesi eshte aktualisht ne faze te pranimit te ankesave. Të gjitha klubet sportive të sporteve përkatëse mund të drejtojnë ankesat e tyre potenciale te Komisioni për Performancë të Lartë Sportive, deri me datën 20/07/2024. Pas trajtimit te tyre do te njoftoheni me rezultatet perfundimtare dhe detajet te tjera e informacione qe mund te ju duhen sa i perket thirrjes”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Megjithatë, përgjigje nuk ka kthyer Federata e Taekwondo-së dhe as kryetari i kësaj Federate, Arsim Agushi, nuk ka qenë i qasshëm në telefon.