×
  • Lajme
  • Lajme

    “Unë kom nevoja fizilogjike s’jom si ky i Koresë”, Si u bë rektori Hajrullahu subjekt i hetimit?

    Insajderi
    29 November 2024 - 18:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të mërkurën, në një mbledhje të Senatit të UP’së, Rektori Arben Hajrullahu ka qenë këmbëngulës që të votohet për “kthimin e ligjshmërisë” në Universitet duke kërkuar votim që Enver Hasanit t’i hiqet thirrja e profesorit të rregullt duke e kthyer në profesor të asociuar pasi, sipas tij, avancimi ka ndodhur në mënyrë të kundërligjshme. Por, pavarësisht insistimit për t’i bindur senatorët që të votojnë, në të njëjtën mbledhje u aprovua propozimi për ngritjen e një komisioni që do ta hetojë ngritjen akademike të të gjithë rektorëve në Kosovën e pasluftës, përfshirë edhe rektorin aktual. Në mbledhjen rreth dyorëshe, Hajrullahu senatorëve u foli edhe për çështje “personale”. Pasi u kthye nga pauza iu tha atyre që “ke mirë që u vetëpërjashtova për nevoja fiziologjike, unë kom nevoja fizilogjike s’jom si ky i Koresë Veriore, ai thonë se s’ka”.

    Meqenëse edhe unë po bëhem subjekt, sa po muj me ju kuptu juve, po bohem subjekt i këtij komisioni eventual, atëherë unë në asnjë rrethanë, i vetëdijshëm për ligjin e parandalimit të konfliktit të interesit, unë duhet të largohem sepse do të shkaktoja konflikt të interesit”.

    Kështu iu përgjigj Rektori Arben Hajrullahu propozimit të prorektores, e cila propozoi që një komision hetimore të merret me ngritjen akademike të të gjithë rektorëve në Kosovën e pasluftës.

    Për rreth dy orë, Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka diskutuar lidhur me rastin e profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasanin.

    Hasani është denoncuar nga Dekani i Juridikut, Avni Puka, për marrjen e thirrjeve akademike në mënyrë të kundërligjshme duke mos respektuar kohëzgjatjen e thirrjeve paraprake.

    Sipas Pukës, Hasani ishte emëruar Profesor i Rregullt ende pa u bërë katër vjet nga avancimi në thirrjen e Profesorit të Asocuar.

    Këtë veprim Puka e kishte ndërmarrë pasi paraprakisht nga Hasani ishte denoncuar se ka gënjyer se ka kryer doktoratë në Universitetin La Sapienza të Romës

    Propozimi i Rektorit të UP’së, Arben Hajrullahu, ishte që të anulohen vendimet për avancimin e Hasanit, që nënkupton se Hasanit do t’i hiqej thirrja akademike “Profesor i rregullt”.

    Rektori bëri thirrje vazhdimisht që të votohet ky propozim, madje e quajti edhe si ditë historike, duke shtuar se përmes vendimit që do ta marrin senatorët do të vendoset se cilës rrugë do të shkojë Universiteti i Prishtinës.

    “Vetëm të sqaroj edhe një që unë jam mbi palët. Unë e di që ka siç duket këtu më shumë se një palë. Këtë çka e thom është në frymën e parimeve, as nuk jam avokati i njërës palë, e as nuk jam avokati i palës tjetër, mirëpo është në frymën e parimeve. E ne në këtë ditë historike, do e quaja unë, duhet të marrim vendim se si me procedu, me diskutu e me pa se në çfarë drejtimi jemi duke ia dhënë këtij universiteti, e me këtë edhe këtij vendi”, tha Hajrullahu.

    Për këtë pati mospajtim nga një prej senatorëve, i cili tha se nuk është vendim aq i rëndësishëm.

    “…është një moment i rëndësishëm dhe i parëndësishëm. Nuk është ndonjë një vendim aq shumë i rëndësishëm me pas atë lloj frike të marrjes së një vendimi. Problem i vogël, elementar do ta kisha quajt me marr një vendim të tillë për me vu drejtësinë në vend”, deklaroi ai.

    Hajrullahu vazhdoi me fjalën e tij ku tha se për këtë rast janë vetëm dy opsione, ndërkohë që nuk mungonte “akuza” se disa prej senatorëve po shpërndajnë mjegull.

    “Ose me marr anën e Ligjit edhe me pshtu aq sa arrijmë si institucion me faqe të bardhë ose me ia qit një pengesë shtesë Ligjit në rrugë e me dalë na me faqe të zezë aama ligjshmëria do të vihet në vend. Nuk kemi opsion tjetër. Kështu që mendone mirë këtë punë, analizone e në mbledhjen që e kishim me Kolegjiumin e Dekanëve, unë thash që për çdo vendim që te marrim, ne duhet me qenë në gjendje me shik veten në pasqyre para se me na shiku tjerët, ose me ardh në situatën kur fëmijët tanë, fëmijët e këtij vendi nuk do të arrijmë me i shiku në sy për shkak të marres për vendimet tona me vazhdu paligjshmëria në këtë vend. E unë besoj fort, e shpresoj fort që ne nuk do ta vazhdojmë këtë.”, shtoi Hajrullahu.

    Disa herë gjatë mbledhjes, Hajrullahu iu drejtua disa senatorëve duke u thënë se po tentojnë të krijojnë mjegull. Në mbledhje e kishte marrë edhe një zile.

    Njëri prej senatorëve sugjeroi që Senati të mos merret me revokimin e thirrjes akademike, por që nëse ka shkelje me këto të merret një Komision.

    “E kuptuam ne qëndrimin tuaj shumë mirë, por me këto simbolizmat pse me hap derën do të thoja që është duke kundërmuar paligjshmëri, andaj është mirë me ajros”, ishte përgjigjja e Hajrullahut për këtë sugjerim.

    Propozimet që me këto çështje të merret fillimisht Komisioni, u shtuan përgjatë mbledhjes. Disa senatorë kërkuan më shumë kohë.

    “Pse po na ngutë detyrimisht me votu sot”, tha njëri prej senatorëve.

    “Lena kohë rektor të mendojmë. E votojmë mbledhjen e ardhshme”, deklaroi një senator tjetër.

    Ndaj këtyre deklarimeve, Hajrullahu tha se e di se mund të ketë presione, por se barra e këtij vendimi do t’i përcjellë gjithë jetën.

    “Rruga e vetme për me u korrigju kjo shkelje dhe me i dhanë drejtim këtij universiteti, është me vepru në këtë formë. Une e di që mund të ketë presione të ndryshme, por barra, mos harroni, barra e vendimit tuaj do të ju përcjellë gjithë jetën, e jeta di me qenë shumë e gjatë”, tha Rektori.

    Thuajse në fund të mbledhjes, Kryetarja e Parlamentit Studentor të UP-së, Blerta Zeqiraj, e mori fjalën ku tha se kanë marrë edhe kërcënime nga senatorët e UP-së se si të votojnë në Senat për rastin e profesorit Hasani.

    “Ne ose unë personalisht kam pasë ndoshta edhe mesazhe edhe nëpërmjet njerëzve, edhe telefonata, ndoshta edhe kërcënime se qysh sot me votu, a të votoj kundër, a të votoj pro a të abstenoj apo a të dal krejtësisht nga mbledhja. Unë po besoj që mesazhet, nuk jeni ju … Po besoj se ata persona janë këtu të pranishëm… besoj e marrin mesazhin që na si Parlament Studentor nuk përkrahim individë për atë se çka është e drejtë”, deklaroi ajo.

    Ajo kërkoi kohë që të mendojnë si të votojnë për këtë rast. Thirrja për më shumë kohë për ta trajtuar këtë rast u përsërit edhe nga senatorë të tjerë.

    Në fund, Hajrullahu vendosi që kjo pikë të shtyhet për mbledhjen e radhës të Senatit.

    Hajrullahu tha se rastin e Hasanit do ta fusë në agjendë të një mbledhjeje të Senatit të UP-së për ta zgjidhur.

    “Kur ka prit prej 2009’ës, prej 15 korrik 2009 deri më tani 27 nëntor 2024, nuk është fundi i botës… Ju garantoj që pikën 9 do ta kthejë në agjendë se nuk mujmë me shti nër tepih paligjshmërinë”, deklaroi Hajrullahu.

    Sa i përket njoftimit për këtë rast, Hajrullahu tha se vendimit të Këshillit të Etikës të UP-së për profesorin Hasani, i marrë më 25.09.2024, i ka kaluar afati.

    Hajrullahu përmendi se është dashur të merret vendim brenda 30 ditësh nga momenti i paraqitjes së shkeljes.

    Sipas llogaritjes, Hajrullahu tha se është dashur që deri në fund të ditës së 25.09.2024 të merret vendim për këtë rast. Edhe pse Këshilli i Etikës i UP-së kishte marrë vendim më 25.09.2024, vendimi ishte protokolluar në UP më 27.09.2024.

    Komision për hetimin e përfitimit të thirrjes akademike për të gjithë ish-rektorët e Hajrullahun

    Ende para se të fillohej diskutimi për rastin e Hasanit, Prorektorja për Buxhet, Albana Berisha Qehaja, propozoi krijimin e një komisioni të përkohshëm që do të trajtonte jo vetëm rastin e Hasanit, por do të shqyrtonte të gjithë ish-rektorët për mënyrën e fitimit të thirrjeve akademike, përfshirë edhe Rektorin aktual, saktësisht profesorët që janë në marrëdhënie të rregullt të punës.

    “Nuk po më duket e rrugës me u marr veç me një rast konkret, pavarësisht që është dërgu në Këshill të Etikës e tutje. Unë mendoj që të punojmë në parimin e paanësisë, objektivitetit, transparencës edhe pra të formojmë një komision me të gjithë ish-rektorët e besa edhe me juve, dmth deri të rektori aktual dmth të shikohen përfitimet e titujve akademik a janë konform”, deklaroi Prorektorja.

    Propozimi i saj u përkah edhe nga Hajrullahu duke thënë se “po i pëlqen”

    “Shumë bukur. Mua në parim po më pëlqen kjo….Propozimi ke vetëm ata që janë në marrëdhënie të rregullt sepse në qoftë se ka ndodhë keqpërdorimi i pushtetit dhe është në marrëdhënie të rregullt, ajo ka edhe implikime financiare/ Dmth në qoftë se unë e kam avancu veten në mënyrë jo të rregullt nga profesori i avancuar në profesor të rregullt, ajo në aspektin financiar brenda vitit unë marr një rrogë shtesë”, deklaroi Hajrullahu.

    Në momentin kur u votua ky propozim, Hajrullahu u largua nga salla, meqë edhe vetë do të ishte subjekt.

    Ndryshe, Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, e kishte dërguar në Këshill të Etikës dje Profesorin e së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasanin, duke e denoncuar për shkelje të rënda të Kodit të Etikës së UP’së dhe obligimeve akademike.

    Veprimi i Pukës është cilësuar si shantazh e hakmarrje nga Hasani, i cili e ka denoncuar fillimisht Pukën për mashtrim me doktoratë dhe plagjiaturë.Gazeta Express

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark