Bashkëshortja e djalit të vëllaut të Ferit Idrizit, Blerina Maxhuni është punësuar me një pozitë në QKMF të Vushtrrisë. Maxhuni ka marr më së shumti pikë në mesin e pesë kandidateve të tjera në konkurs. Ferit Idrizi për Insajderin mohoi të këtë pas ndonjë konflikt interesi.
Gazeta Insajderi
Më datën 16 prill të këtij viti janë shpallur rezultatet për konkursin “Punonjës/e në gardërobë në QKMF “Dr.Safet Idrizi” në Vushtrri.
Në konkurs kanë aplikuar pesë kandidatë.
Me më së shumti pikë ka prirë, Blerina Maxhuni.
Blerina Maxhuni ka mbledhur totalin e pikëve 95.00.
Blerina Maxhuni është familjare e kryetarit Ferit Idrizi. Më saktësisht Blerina është nusja e djalit të vëllaut të Ferit Idrizi.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me kryetarin Ferit Idrizi se a ka pas ndonjë konflikt interesi në këtë konkurs. Megjithatë ai mohoi të ketë ndikuar.
“Beso që nuk merrem me ato punë, unë me pa dashtë me punësu ata, kurrë në lavatriqe nuk e kisha lanë. Në anën tjetër ajo ka të drejtë me u punësue, iu ka nënshtrue konkursit, nuk e përjashtoj mundësinë që dikush ka mujtë me thanë, hajt për me i hi në hatër kryetarit, ka thënë koka e afërme e kryetarit, hajt te zgjedhim. Unë nuk interferoj këtu. Me më pa vetë mu, në atë pozitë nuk e kisha lanë, i kisha thënë shko grahi shkollës”, tha ndër të tjera Ferit Idrizi për Insajderin.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me Blerina Maxhunin, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.
Insajderi.org