×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    UNESCO kalon rezolutën e kritikuar nga Izraeli: S’ka më “Mali i Tempullit”

    Insajderi
    18 October 2016 - 23:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bordi ekzekutiv i UNESCO-s miratoi rezolutën e sponsorizuar nga arabët, e cila i referohet në vazhdimësi Malit të Tempullit, siç e njohin hebrenjtë, vetëm me emrin islamik të Haram al-Sharif, siç e njohin myslimanët. Ky vend është i shenjtë edhe për judaizmin.

    Rezoluta shkaktoi irritimin e Izraelit, i cili ngriu bashkëpunimin me UNESCO-n që prej javës së kaluar. Qëllimi i kësaj lëvizjeje, siç është theksuar në tekstin e rezolutës, është “ruajtja e trashëgimisë kulturore të Palestinës dhe karakterit dallues të Jeruzalemit Lindor”. Rezoluta kritikon gjithashtu aktivitetet e ndërmarra nga Izraeli në vendet e shenjta në Jeruzalem apo në Bregun Perëndimor të pushtuar.

    Irritimin e Izraelit thuhet se e ka shkaktuar fakti, sesi rezoluta i referohet me emrin arab vendit të shenjtë. E ndërsa pranon “rëndësinë e qytetit të vjetër të Jeruzalemit dhe mureve të tij për të treja besimet monoteiste”, dokumenti i referohet atij vetëm me emrin “al-Aqsa Mosque” apo “Haram al-Sharif”.

    Mali i Tempullit, siç njihej deri më sot, është vendndodhja e dy tempujve biblikë hebraikë dhe rrethohet nga Muri Perëndimor, i nderuar nga hebrenjtë si pjesë e murit origjinal mbështetës të kompleksit të tempullit.

    “Haram al-Sharif” është gjithashtu vendi, nga ku myslimanët besojnë se Profeti Muhamed u ngjit për në parajsë, si dhe konsiderohet si vendi i tretë i shenjtë për nga rëndësia në fenë Islame.

    Kreu i bordit ekzekutiv të UNESCO-s, Michael Worbs tha të premten se do të dëshironte më shumë kohë për të arritur një kompromis. “Është diçka e jashtëzakonshme ajo çfarë ndodhi dje dhe më vjen vërtet keq për të”. Të martën, ambasadori izraelit në UNESCO, Carmel Shama Hacohen, akuzoi palestinezët se po bëjnë “lojëra”. “Ky është vendi i gabuar për të zgjidhur problemet mes vendeve dhe popujve”, tha ai për agjencinë e lajmeve “AFP”.

    Por, zv.ambasadori palestinez në UNESCO, Mounir Anastas mirëpriti miratimin e rezolutës, duke thënë se kështu shpreson që të ushtrohet më shumë presion ndaj autoriteteve izraelite për të “ndalur shkeljet e tyre”, veçanërisht sa i përket gërmimeve në vendet brenda dhe jashtë Jeruzalemit të Vjetër.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark