Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se grupet që realizuan sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok kishin një skenar ogurzi.
Sveçla ka publikuar një video duke prezantuar municion, armë dhe uniforma. Për këto të fundit, tha se Policia e Kosovës gjeti edhe uniforma të ushtrive të SHBA’së dhe Britanisë së Madhe, shkruan Insajdeir.
“Ky është municioni, armët dhe uniformat që janë gjetur sot gjatë nje bastisjeje në veri të vendit. Këto të gjitha janë gjetur të fshehura nën një ahur.
Përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, në këto dëshmi shihen uniforma të ushtrive të ShBA-ve dhe asaj Britanike dhe ky fakt shpërfaq planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime e sulme dhe për të fajësuar shtete të tjera”, shkroi Sveçla.
“Çdokush që tenton të cenojë rendin kushtetues, sigurinë e vendit, nuk do të mund t’i ikë ndëshkimit. Republika e Kosovës, forca e ligjit të drejtë në shtetin tonë demokratik do të ngadhënjejë”. /Insajderi.org/