Universiteti i Gjakovës në krizë të thellë- Vetëm dy programe të reja në shqyrtim akreditimi, dorëheqje të njëpasnjëshme nga menaxhmenti - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Universiteti i Gjakovës në krizë të thellë- Vetëm dy programe të reja në shqyrtim akreditimi, dorëheqje të njëpasnjëshme nga menaxhmenti

    Insajderi
    02 July 2025 - 16:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Universiteti i Gjakovës nën menaxhimin e rektorit të ri, Drilon Bunjaku, po përjeton një krizë institucionale. Nga programet e studimit, janë në rishikim vetëm dy drejtime për akreditime. Po ashtu, ka pasur dorëheqje të njëpasnjëshme nga menaxhmenti, të cilat besohet të jenë si shkak i mungesës së përformancës së rektoratit.

    Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë dokumente të cilat dëshmojnë refuzimin e programeve akredituese të këtij universiteti nga ana e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

    Programet Edukimi Fillor, Mësimdhënia e Gjuhës së Huaj Angleze, Informatikë Inxhinierike dhe Mësimdhënia e Letërsisë për Fëmijë janë refuzuar për riakreditim nga ana e AKA’së.

    Burime të Insajderit kanë bërë të ditur se së fundmi, Dafina Kaqurri, Prorektore për Mësim dhe Çështje të Studentëve, ka dhënë dorëheqje. Burime të mediumit bëjnë me dije se ajo ka përmendur dështimet në procesin e akreditimit, mungesën e transparencën dhe “klimën e rënduar ndërpersonale në udhëheqje”.

    Para saj, Arben Boshnjaku, Prorektor për Hulumtime Shkencore, kishte dhënë dorëheqje për arsye të ngjashme, duke drejtuar kritika tek rektori Bunjaku..

    Këshilli Drejtues i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, në mbledhjen e mbajtur më datë 13.02.2025, për unanimisht ka miratuar dorëheqjen e Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku nga pozita e Prorektorit për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, andaj nisur me sa u tha vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në arsyetim të vendimit që i ka siguruar Insajderi.

    Në anën tjetër, Prorektorja për Sigurim e Cilësisë, Kaltrina Kusari, ka marrë pushim pa pagesë dhe ka shkuar për në Kanada.

    Gazeta Insajderi kishte raportuar para disa jave se si motra e asamblistit të Vetëvendosjes në Komunën e Gjakovës, Ermal Kusari, ishte përzgjedhur si asistente në mesin e pesë kandidatëve që kishin aplikuar për pozitën e profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.

    Rreth dy javë më vonë, me datën 18 dhjetor, Kaltrina Kusari ishte emëruar Prorektore për Zhvillim Akademik dhe Sigurim të Cilësisë në UFAGJ.

    Po ashtu, pak ditë ditë më parë, edhe Kimete Canaj, Prodekane për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fakultetin e Mjekësisë, ka dhënë dorëheqje, duke thelluar më tej boshllëkun drejtues në këtë fakultet.

    Në anën tjetër, Ministria e Arsimit tash e më shumë se katër ditë kryetare të Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës ka emëruar një mësuese të ciklit të ulët nga arsimi fillor.

    Për krejt këto, Gazeta Insajderi iu është drejtuar Universitetit të Gjakovës me pyetje mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë asnjë përgjigje.

    /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark