Universiteti i Prishtinës renditet në top 10 mes 1362 universiteteve në konkursin ndërkombëtar të Arkitekturës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Universiteti i Prishtinës renditet në top 10 mes 1362 universiteteve në konkursin ndërkombëtar të Arkitekturës

    Insajderi
    08 March 2025 - 18:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Universiteti i Prishtinës (UP) ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur në top dhjetëshen e konkursit ndërkombëtar studentor në fushën e arkitekturës dhe dizajnit ‘Inspireli Awards 2024’, i cili përfshiu 1,362 universitete nga e gjithë bota.

    Fakulteti i Arkitekturës në UP e ka bërë të ditur këtë lajm me krenari, duke njoftuar se Universiteti i Prishtinës ka zënë vendin e 10-të në renditjen e përgjithshme universitare të edicionit të 9-të të këtij konkursi prestigjioz.

    Sipas Fakultetit të Arkitekturës, ky sukses është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të studentëve të tyre në konkurset ndërkombëtare, të cilat janë të integruara në kurrikulat akademike të Fakultetit.

    Ky vlerësim i lartë është arritur pas renditjes së Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës në Top 10, falë vendit të parë të arritur nga projekti “Sustainable Village – ECOUNITY”, i realizuar nga studentët: Sibora Ramadani, Eron Shala, Bleranda Hykosmoni dhe Albina Zenunaj, nën mbikëqyrjen e Prof. Asst. Rozafa Basha, në kuadër të lëndës Projektim – Banim.

    Fakulteti i Arkitekturës ka shënuar këtë sukses me një ceremoni të veçantë të dorëzimit të certifikatës së renditjes për UP-në, nga fituesi i mëparshëm i ‘Inspireli Awards’ dhe tashmë anëtar i jurisë, Lendrit Krasniqi, së bashku me konkurrentin e sivjetshëm, studentin e nivelit master Florian Shala. Ceremonia është zhvilluar në prani të Dekanes së Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Violeta Nushi.

    Ky rezultat është një dëshmi e qartë e përkushtimit të studentëve të Fakultetit të Arkitekturës, punës së palodhur të stafit akademik dhe mbështetjes së komunitetit universitar. Fakulteti i Arkitekturës ka përgëzuar studentët dhe të gjithë ata që kontribuan për këtë arritje të jashtëzakonshme, duke uruar një të ardhme të suksesshme për ta.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark