Pas “kaosit” të krijuar në UP, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” e ka shpallur të hapur konkursin për zgjedhjen e rektorit të UP-së.
Për të aplikuar, kandidati duhet t’i plotësojë tre kushte.
“Të ketë përvojë të dëshmuar në mësimdhënie akademike, kërkim shkencor dhe të ketë gradën e profesorit të rregullt, të profesorit të asocuar ose të profesorit asistent. Të ketë përvojë menaxhuese universitare dhe të mos ketë qenë në pozita udhëheqëse në ndonjë parti politike apo në listë zgjedhore të ndonjë partie politike ose koalicioni në nivel qendror dhe lokal në tre vitet e fundit”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Naser Sahiti u shkarkua nga detyra si rektor në Universitetin e Prishtinës. Deri tek shkarkimi i tij erdhi pas një mbledhje që u thirr nga Këshilli Drejtues i UP-së. Në krye të rektoratit si ushtruese detyre ishte Luljeta Plakolli-Kasumi, kjo e fundit familjare me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin.
Pasi u bë e ditur se ushtruesja e detyrës së rektores në UP, Luljeta Plakolli-Kasumi është kushërira e presidentes Osmani, ajo po doli të jetë edhe në mesin e financuesve të fushatës së partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Në raportin financiar të fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje, Luljeta Plakolli-Kasumi, shihet në mesin e personave që kishin financuar Vetëvendosjen për zgjedhjet e përgjithshme me 6 tetor 2019.