Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë do të jetë e lirë për qarkullim të plotë me 20 janar 2017, derisa punimet për largimin e barrikadës që ishte vendosur mbi këtë urë e quajtur “Parku i Paqes”, u paralajmërua se do të fillojnë me 14 gusht të këtij viti.
“Ura e Mitrovicës do të hapet për këmbësorë dhe automjete në të dy drejtimet në përputhje me rekomandimet e vlerësimit teknik dhe dizajnit arkitektonik për të cilat të dy palët u pajtuan në qershor të vitit 2015”, shkruan në komunikatën për media.
Sipas kësaj komunikatë ku bëhen të ditur detajet rreth rivitalizimit të urës së Mitrovicës, njoftohet se një grup punues së bashku me dy kryetarët e komunave do të monitorojë dhe shqyrtojë rregullisht kushtet politike dhe të sigurisë në të dy komunat gjatë këtij procesi.
“Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 9 shtator 2016. Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i do të sigurojnë një mjedis të sigurt në përputhje me mandatet e tyre përkatëse. Ata do të konsultohen për masat e duhura të sigurisë, duke përfshirë edhe konsultat me dy kryetarët e komunave”, njofton komunikata./Insajderi.com