Plani për hapjen e urës nga Qeveria e Kosovës, i cili aktualisht është bllokuar nga shtetet e QUINT’it dhe NATO, që refuzuan të japin mbështetje, janë parë si lëvizje të pushtetit aktual në kontekst të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Opozita dhe njohësit e zhvillimeve politike s’kanë dilema se Kurti po luan për vota muajve të fundit në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.
Sidoqoftë, zyrtarisht, jo të gjithë diplomatët e kanë thënë këtë, por ndonjëri prej tyre nuk ka hezituar ta bëjë.
Ambasadori italian në Kosovë Antonello De Riu, në muajin qershor, e kishte thënë “pa dorëza” se çështja e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim të veturave, është duke u bërë për qëllime “politike, simbolike dhe elektorale”.
“Ura nuk është e mbyllur, është e qarkullueshme qetësisht në këmbë. Ka qytetarë të etnisë serbe që shkojnë në pjesën jugore për pazar, por ka edhe të jugut që shkojnë veri. Edhe unë eci lirshëm në atë urë, thjeshtë trafiku automobilistik nuk funksionon…Unë mendoj se kjo është pikërisht ky shembulli klasik, që të marrim një shembull qysh është rihapja e urës me qëllime tipike politike, simbolike dhe elektorale. Këto kemi dyshime të mëdha, i kemi shpreh… dhe shpresoj që autoritete e Kosovës të i marrin parasysh…”, kishte thënë ai.
Emisari për Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak, i cili në emër të BE’së ndërmjetëson negociatat Kosovë – Serbi, është bindur se s’do të ketë avancim në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. Ai ka thënë se është naive nëse ka pritje tjera.
Sllovaku këtë e ka thënë haptas gjatë një debati në GLOBSEC 2024 në Pragë, ku është diskutuar për zgjerimin e BE’së. Diplomati evropian ka thënë se duhet siguruar që të bëhet përparim thelbësor pas zgjedhjeve.
” I kemi zgjedhjet parlamentare në Kosovë në shkurt kështu që është naive të besohet se mund të presim avancim para zgjedhjeve. Por duhet të sigurohemi se do të shohim progres substancial në zbatim menjëherë pas zgjedhjeve” kishte thënë Lajcak në Pragë në fillim të muajit.
Emisari gjerman Manuel Sarrazin, i cili ishte në Kosovë gjatë javës në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për përfaqësimin e Kosovës në CEFTA, refuzimin e Qeverisë për të hequr ndalesën ndaj disa mallrave nga Serbia, e ndërlidhi me atmosferën zgjedhore në Kosovë.
Ai la të kuptohohet se arsyetimet e ndërlidhura me sigurinë nuk qëndrojnë.
“Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet e sigurisë, por më duhet të them se e kam ndjesinë se kjo ndalesë e tregtisë nuk është duke ndihmuar vërtet në aspektin e sigurisë”.
Qeveria tha se ka kompromis dhe se ka pranuar që Kosova të shkoj me “asteriks” në CEFTA dhe se Serbia është duke bllokuar, por gjermanët thanë se Sarrazin s’pati sukses ta bindë Kurtin që të bëj kompromis.
Pastaj, ai, si konkludim përmendi zgjedhjet.
“Ju e keni një fushatë zgjedhore që po vjen, kështu që duhet të bëni vetë qëndrimet e juaja për këtë gjë”, tha Sarrazin./Gazeta Express