
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sot ka prezantuar planin e tij për lagjen Mati, ku është pritur nga një numër i madh qytetarësh.
Duke ju drejtuar të pranishmëve, Ismaili tha se Prishtina ndodhet në një udhëkryq vendimtar. “Ju mund të vendosni se a do të shkojmë drejt zhvillimit, apo do të rrijmë në të njëjtin vend, ashtu si 25 vitet e fundit,” theksoi ai.
Ai shtoi se qytetarët e Prishtinës nuk mund të jenë më peng i konflikteve politike dhe akuzave të ndërsjella mes kandidatëve. “Konfliktet politike dhe fajësimet duhet të marrin fund, sepse në këtë mes të vetmit që po e pësojnë janë qytetarët e Prishtinës. Përderisa të tjerët merren me inate politike, qytetarët nuk i kanë kushtet bazike për jetë dinjitoze në kryeqytet.” tha ai.
Ismaili theksoi se ka ardhur koha për një Prishtinë që kujdeset për qytetarët e saj, ku asnjë individ, asnjë lagje e asnjë fshat nuk mbetet anash.
Duke folur për Matin, ai tha se kjo lagje është fytyra e re e Prishtinës, mirëpo ndërtimet e pakontrolluara viteve të fundit nuk janë përcjellur me infrastrukturën sociale dhe publike që nevojitet. “Kjo nuk do të vazhdojë më. Mati dhe qytetarët e saj duhet, dhe do të marrin trajtimin që meritojnë,” u shpreh ai.
Projektet konkrete të Ismailit për Matin përfshijnë:
Çerdhe e re për fëmijët e lagjes;
Ndërtimi i shkollës së re;
Qendër komunitare multifunksionale;
Rrugë të sigurta me ndriçim publik;
Lagje e pastër 24/7;
Lirim i hapësirave publike për trotuare dhe ecje të lirshme;
Riorganizim i rrugëve për zhbllokim të trafikut;
Krijimi i korridoreve funksionale me lagjet përreth.